Efektivët e policisë kufitare në pikën e kalimit në Morinë të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre tentuan që t’i shpëtojnë prangave. Disa ditë para se të arrestoheshin efektivët kanë pikasur kamerën e sigurisë të vendosur në kondicionerin e sallës në pikën doganore. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se e kanë pikasur kamerën për shkak të sinjalit që bënte dhe më pas e kanë thyer. Por në sallë kishte edhe kamera e përgjues të tjerë të cilat faktuan provat e shpërdorimit të detyrës.
32 efektivët janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së posaçme SPAK për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni u zhvillua mes Kosovës e Shqipërisë. Zyrtarisht SPAK tha se pas një hetimi 1 vjeçar, janë lëshuar 34 masa sigurie, 32 prej të cilave janë punonjës policie që kanë ushtruar funksione të ndryshme në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Kukës. Nga hetimet ka rezultuar se efektivët e policisë i merrnin shuma monetare personave të ndryshme që hynin në territorin e Kosovës.