Mëngjesin e sotëm është grabitur një pikë e transfertave të parave në qytetin e Korçës. Autori ka qenë i maskuar dhe mbante një thikë me vete me të cilën kërcënoi punonjësen duke i marrë të gjitha paratë që ndodheshin në arkë.
Një pikë e transfertave të parave, që ndodhet në lagjen 9 të qytetit të Korçës është grabitur mëngjesin e së premtes. Një person i maskuar ka hyrë në pikën e Western Union dhe pasi ka kërcënuar me thikë punonjësen, arriti të marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Pas grabitjes, autori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke shmangur policinë, e cila mbërriti menjëherë pas njoftimit në sallën operative. Nga dëshmitë e punonjëses, e cila i ka përshkruar policisë edhe karakteristikat fizike të autorit mësohet se shuma e grabitur llogaritet në 2.500 euro dhe 100 mije Lekë të reja.
Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit, i cili nga mekanizmi i përdorur duket e kishte planifikuar grabitjen. Pritet ekspertimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e grabitësit./abcnews.al