Deputeti Damian Gjiknuri, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, nga foltorja e Kuvendit i është kthyer opozitës për kërkesat që kjo e fundit ka kërkuar për heqjen e taksave për karburantin. Gjiknuri deklaroi se qeveria po mbështet shtresat në nevojë për të zbutur efektet e lëvizjes së çmimeve. “Opozita pas një krize të thellë të tyre politike gjetën një ‘casus belli’ për të filluar me radhë sulmin ndaj qeverisë. Pse është kjo dëshirë e madhe për të sulmuar qeverinë? Çmimet nuk kontrollohen nga qeveria shqiptare, zinxhiri ndërkombëtar i furnizimit është ndërprerë! Të gjitha këto janë të vërteta, të gjithë lexojmë dhe shikojmë situatën. Këtu fillojnë dalin dy togfjalësha nga fjalori i opozitës: hiqni taksat dhe grup i strukturuar kriminal. Të thuash duhen hequr taksat, këtë e preka si temë edhe javën e kaluar, do të thotë ta lësh qeverinë zbuluar për skenarë që ne nuk e dimë sesi do të zhvillohen. Parimi i heqjes së taksave nuk është që të përfitojnë të gjithë, puna është që të përfitojë i varfëri. Të gjitha këshillat, ‘prudence’ e ekonomisë apo atyre që janë ‘responsible’ për aspektin e fiskut është e tillë: targeto njerëzit në nevojë, targeto të varfërit. Qeveria këtë po bën me politikën sociale po mbron shtreast më në nevojë”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi se pasi opozita ka dështuar të marrë mbështetjen me votë nga qytetarët, shpresa e saj e vetme është të bjerë qeveria. Ai theksoi se opozita e dëshpëruar kërkon që të vijë në pushtet me politikën e ‘tokës së djegur’.
“A duhet më shumë? Mbase duhet më shumë, patjetër! Kush tha se nuk ka ndjeshmëri qeveria? Kush është ajo qeveri që nuk ka ndjeshëmri? Problemi është se sa janë mundësitë! Kjo krizë sapo ka filluar. Lexova diçka pak më parë ku parashikimet ndërkombëtare thonin se kriza e sivjetme e ushqimeve mund të vazhdojë dy vjet. Çfarë do bëjë qeveria do ngrejë duart? Do rishikojë disa projekte dhe po i rishikon. Kur thoni grup i strukturuar kriminal ju kërkoni që qytetarët ta shohin qeverinë si diçka kriminale. Përse? Në momentin që nuk ke organizatë politike, dështon me protesta, dështon me vote, e vetmja shpresë është të bjerë qeveria. Pra, synoni të ‘shkërmoqni’ qeverinë në sytë e publikut duke e parë si njësi kriminale apo duke nxitur njerëzit me idenë se kjo qeveri duhet përmbysur. E vetmja shpresë që ka i dëshpëruar është kjo që bëni ju, kërkoni të vini në pushtet me ‘tokën e djegur‘”, deklaroi ai.
Nisur dhe nga zhvillimet brenda opozitës, Sekretari i Përgjithshëm I PS ironizoi dhe lidershipin e PD-së. Ai theksoi se për sa kohë ata nuk mbajnë dot partinë, nuk mund të marrin përsipër drejtimin e shtetit.
“Kishte protestues që ishin të ndjeshëm për efektet e çmimeve përpara se të dilnin masat e qeverisë. Qeveria reagoi dhe protestat u zvogëluan. Ju vajtët ti hidhni ‘karburant’ por ju përzunë sepse jo të gjithë janë për protesta politike. Kur ju sheh ju si alternativë edhe ai që ka pakënaqësi me qeverinë për gjërat që mund të ishin bërë më mirë thotë: më mirë të rrijë Edi Rama në qeverisje sepse i ka dhënë provat. Ju nuk keni kohezion për gjënë më të thjeshtë brenda vetes suaj. Ju nuk mbani dot organizatën tuaj jo më pastaj të merrni përsipër të drejtoni një shtet. Fatkeqësi është sepse unë do të doja të kishte ekuilibër jeta politike por kjo është e vërteta”, tha Gjiknuri.
Deputeti Gjiknuri nënvizoi se opozita është në fillim të procesit të saj të shkëmoqjes totale dhe se nuk ka asnjë mundësi që të vijë përmes kësaj politike në pushtet.
“Ju doni që çdo gjë të jetë keq, ju nuk fitoni dot me votë ndaj e vetmja mundësi për ju është rënia e qeverisë së Edi Ramës. Ata njerëz që dinë dhe duan të qeverisin duan ta marrin me votë qeverisjen. Ju kërkoni sjellje të papërgjegjshme nga qeveria, por qeveria po bën atë që ka mundësi. Ka filluar të adresojë shtresat më në nevojë. Ju doni thjesht të mbillni urrejtje. Shpresa ju ka rënë. Për ju erdhi kjo krizë që ju të keni mundësi të unifikoni sulmet tuaja ndaj qeverisë. Sa për sulmet ndaj njëri-tjetrit, jua kam thënë që jeni te fillimi i procesit të shkërmoqjes totale. Më vjen keq se prapë nuk do u përmbushet profecia që qeveria të bjerë dhe ju të vini një ditë në pushtet”, theksoi Gjiknuri.