Dy të rinj të moshës 21 dhe 24 vjeç kanë rënë në prangat e policisë, pasi kanë ndihmuar 7 emigrantë të paligjshëm të kalojnë kufirin kundrejt fitimit.
Bëhet fjalë për shtetasit F. T., 21 vjeç dhe D. H., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Policia njofton se dy të rinjtë tentuan t’i shmangeshin policisë, pasi nuk iu bindën patrullës së efektivë rrugorë, kur iu dha sinjali që të ndalonin makinën.
Në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Vanistër”, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin F. T., i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar.
Menjëherë shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, kanë kapur shtetasit F. T. dhe D. H., të cilët ishin duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/

