Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame këtë të mërkurë ka folur në lidhje me kadastrën e Durrësit dhe nisjen e hetimeve të thelluara për abuzimet që janë bërë atje në 32 vite kanë nxjerrë një raport me shkeljet e detajuara që janë zhvilluar.
Lame në fjalën e tij ka thënë se nga të gjitha dosjet e marra nga kjo kadastër vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.
“Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra:
Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime.
Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj.
– 730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare);
– 243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër);
– 569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri);
– 25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes);
-1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim për t’u përdorur me data te mëparshme).
Sa më sipër janë dëmtimet që duken, pasi ka edhe pafund ndërrime fletësh që janë bërë me art dhe nuk kuptohet që janë zëvendësuar. Kjo sepse regjistrat janë të shqepur dhe mund të heqësh e të shtosh pa hesap. Regjistrat e dëmtuar më shumë, natyrisht që janë ata që kanë të bëjnë me pasuritë përgjatë zonës bregdetare: Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj”, është shprehur ndër të tjera ai.
Sipas tij zonat bregdetare janë ato që janë abuzuar dhe plaçkitur më tepër, ndërsa për Artan Lamen kjo ndodh për shkak se nuk ka pasur rregullore dhe përgjegjësi se kush i administronte regjistrat dhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll.
Ndërkohë ai ka theksuar se tashmë arkivi i kadastrës Durrës do i nënshtrohet dixhitalizmit dhe do të jetë i pajisur me sistem kamerash dhe alarmi./abcnews.al