Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka takuar importuesit e grurit në bordin e radhës së monitorimit të çmimeve, për të dakorduar mbi çmimin e miellit deri më datën 10 Prill.
Gjendja furnizuese është normalizuar në tregun vendas, edhe pse çmimet në bursën ndërkombëtare vijojnë të jenë të rritura për grurin. Importuesit u shprehën se kontratat e çliruara me Serbinë dhe anijet që kanë ardhur nga vendet jashtë, kanë rritur stoqet.
“Lajmi i mirë është që kemi tregje të hapura në të gjithë botën, pra tregjet janë rihapur dhe kjo na jep një hapësirë tjetër për blerje nëse ato nevojiten. Lajmi tjetër i mirë është që sjellja konsumatore është ribalancuar, është stabilizuar dhe kështu kemi mundësi që të kemi një zinxhir tregtar shumë më normal se ai paniku i parë që solli një destabilitet në treg”, u shpreh ministrja Krifca.
Tashmë Rumania, Hungaria dhe Bullgaria i kanë rihapur tregjet. Ministrja Krifca shprehu se në momentin që do jetë e nevojshme, qeveria shqiptare do të japë likuiditet për importuesit e grurit nëpërmjet Fondit të Garancisë.
Ministrja Krifca, si anëtare e bordit të monitorimit të çmimeve ka takuar gjithashtu edhe importuesit e inputeve bujqësore në vend, ku është dakorduar mbi marzhet për çmimet e uresë, DAP, fosfat, nitrat. Importuesit u shprehën se çmimet janë të paqëndrueshme në bursat ndërkombetare cka sjell vështirësi në zbatimin e angazhimeve por se çmimet tona me rajonin, janë 15-20 perqind me të lira. Shoqata përmendi se do të vazhdojnë të ruajnë këtë nivel marzhi deri në takimin e ardhshëm me bordin.
Ministrja ka falënderuar për bashkëpunimin ndërsa ka kujtuar se strukturat po monitorojnë rregullisht tregun për të shmangur abuzime./abcnews.al/