Hyn në fuqi vendimi, nga sot Gjermania njeh patentat e Shqipërisë dhe të Kosovës

schedule13:12 - 27 Mars, 2022

schedule 13:12 - 27 Mars, 2022

Nga sot Gjermania njeh patentat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Bundestagu gjerman u ka dhënë të drejtën shqiptarëve që të konvertojnë patentën e tyre pa pasur nevojë të bëjnë provime shtesë. Njohja e lejeve të drejtimit nga shteti gjerman pritet të lehtësojë lëvizjen me automjete të shqiptarëve dhe kosovarëve që jetojnë me rregulla në këtë shtet.

Shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani do të mund të drejtojnë automjetet e tyre në këtë shtet edhe me patentat që kanë marrë në vendin tonë. Kësaj pengesë, e cila ka kushtëzuar shqiptarët prej shumë vitesh, i ka dhënë fund Bundestagu. Të gjithë qytetarët shqiptarët të cilët jetojnë në Gjermani dhe kanë një vendbanim të rregullt do të kenë mundësive të konvertojnë këtë dokument pa provime teorike dhe praktike shtesë, siç ka qenë deri më tani.

Parimi i vendbanimit të rregullt

Rregullorja mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave nga Kosova dhe Shqipërianë Gjermani. Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të vinin këtu.

Kjo do të thotë, se kush ka ardhur pa patentë dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën. Ky fenomen, që në Gjermani njihet nën termin “turizëm patentash” është i ndaluar.

Por çfarë do të thotë vendbanim i rregullt? Kjo përcaktohet nga koha e qëndrimit në një vend brenda një viti, nga i ashtuquajturi “rregulli i 185 ditëve”: Sipas rregullit të 185 ditëve, vendi i banimit të rregullt është vendi ku banon së paku 185 ditë në vit.  Nëse një migrant rezident në Gjermani dëshiron të bëjë patentën në Shqipëri ose Kosovë ai duhet t’u dëshmojë organeve gjermane se ka banuar së paku 185 ditë në vendin ku ka bërë patentën.

Cilat patenta njihen pa provime?

Sipas draftit të dorëzuar në fund të dhjetorit në Këshilin Federal dhe të cilin e ka redaksia e Deutsche Welle-s, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë:

A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Vetëm për patentat nga Shqipëria që I përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Kursime prej së paku 1000 Euro për çdo emigrant

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani. Sipas rregullave të deritanishme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi. Konvertimi kushtonte deri në 1000 Euro, i tha DW, Xhevat Qerimaj, nga Autoshkolla Sieber në Stuttgart të Gjermanisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!