Arrestohet në Brazil ish-Presidenti Michel Temer

schedule13:06 - 22 Mars, 2019

schedule 13:06 - 22 Mars, 2019

Policia braziliane ka arrestuar ish-Presidentin e vendit Mishel Temer dhe ish-ministrin e Energjisë, të cilët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash. Ish-kreu i shtetit e ka cilësuar si veprim barbar arrestimin e tij duke mohuar akuzat.

Ish-Presidenti Brazilian Mishel Temer është arrestuar në San Paolo, pas akuzave për korrupsion. Ai do të transferohet në Rio De Zhanero ku do të paraqitet para gjykatësit. Arrestimi i Temer lidhet me hetimet që kanë të bëjnë me një skemë korrupsioni për ndërtimin e impiantit bërthamor Angra 3.

Hoze Sobrinho, ish-pronar i sipërmarrjes Engeviks, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, u ka thënë hetuesve se për të përfituar tenderin për ndërtimin e impiantit ka paguar 300 mijë euro, që iu kërkuan nga një ish këshilltar i Presidentit dhe ish-ministri i Energjisë, dhe ai i arrestuar. Çdo gjë sipas tij është bërë me pëlqimin e kreut të shtetit.

Mediat braziliane raportojnë se janë tetë mandatet e arrestit që priten të ekzekutohen. Sipas Prokurorisë, ish-Presidenti Temer drejtonte një organizatë kriminale të përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.

Pasi u largua nga posti i kreut të shtetit, Temer u përball me akuza të ndryshme për korrupsion. Akuzat e Prokurorisë përshkruajnë një sistem të sofistikuar kriminal, i cili mund të ketë përfituar 470 milion dollar.  Temer nga ana e tij e ka cilësuar si një veprim barbar arrestimin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!