Grupi Free Mc’s ka publikuar një tjetër hit për audiencën e tyre shqiptare, “Dy krisma tundën Parisin”, projekt për të cilin folën gjerësisht në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin. Djemtë më të dashur nga Fieri tashmë aktivitetin artistik por dhe jetën e kanë të vendosur në shtetin fqinj, Greqinë. Pavarësisht largësisë gjeografike, ata nuk i ndahen vendlindjes së tyre.
“Leku letër këtej bëhet vetëm me punë. Përveç koncerteve, ne që jemi në emigrim… po të merreshim vetëm me këngën do ishim në Shqipëri. Kështu që lekun letër e bëjmë me këngën por dhe me punën që kemi zgjedhur. Nuk është i vetmi burim i të ardhurave.” – shprehu Gentian Llanaj për Abc News.
Por në një treg muzikor që vazhdimisht sjell artist të rinj dhe prodhime të reja, si e kanë djemtë marrëdhënien me klikimet e YouTube: “Ne nuk kemi shpenzuar asnjë cent për klikime. As nuk kemi për ta bërë atë gjë. Moda e suksesit këtej është kur i ke sallat plot.”
Është e paevitueshme që kur përmend Free Mc’s, mos të përmendësh dhe dy këngën e tyre legjendare; ‘Vish fustanin me toka’ dhe ‘Karamboli’. Djemtë shprehën se ndonëse këngët që kanë publikuar janë të shumta, njerëzit ende i evidentojnë me këto dy këngë dhe ata si ‘djemtë nga Fieri.
“Unë besoj se me këngën që njihesh, ajo këngë do të ngeli gjithë jetën. Ne kemi bërë këngë shumë të bukura besoj. Por ‘Vish fustanin me toka’ dhe ‘Mercedesi’ do na ndjeki. Plus që emri Free Mc’s për kohën që e kemi vënë ishte pak i vështirë për tu mbajtur mend. Disa na thonin frimiksat, disa emra të tjerë. Dhe i binin shkurt, ata çunat që këndojnë ‘Vish fustanin me toka’.” /abcnews.al