Tirana është skuadra më e mirë e këtij sezoni, teksa edhe renditja në tabelën e klasifikimit e thotë të njëjtën gjë, pasi bardheblutë udhëheqin kampionatin shqiptar me 59 pikë.
Nëse skuadra e Orges Shehit po shkëlqen në fushën e lojës, kryeqytetasit po bëjnë të njëjtën gjë edhe jashtë saj. Kjo ka të bëjë me një nismë që skuadra bardheblu që ka ndërmarrë.
Disa nga yjet e skuadrës bardheblu kanë vizituar ditën e sotme një prej kopeshteve të kryeqytetit, ndërsa kjo nismë do të vijojë më tej në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme me qëllimin për të rritur dëshirën sportive tek të vegjëlit.
Kjo nismë është e para në llojin e saj në Shqipëri dhe përmes një postimi në rrjetet sociale, Tirana ka publikuar pamjet nga takimi më fëmijët, ndërsa u kanë bërë thirrje të gjitha klubeve të tjera që t’i bashkohen kësaj nisme pasi te fëmijët është e ardhmja e futbollit, por edhe e tifozerisë.
Postimi i Tiranës:
“Klubi i Futbollit Tirana dhe Akademia e Futbollit Tirana ndërmori sot hapin e parë drejt nismës së rëndësishme të ndërthurjes së sportit dhe edukimit.
Kjo nismë ka për qëllim injektimit e edukimit fizik dhe dashurisë së sporteve në moshat e vogla. Duke filluar qe nga kopshtet e për të vazhduar më tej tek shkollat nëntë vjeçare dhe ato të mesme ku kryesorja është rritja e dëshirës sportive tek të vegjëlit. Aty ku është e ardhmja e futbollit por dhe e tifozerisë.
KF Tirana nëpërmjet kësaj nisme, e para ne llojin e saj në Shqipëri, fton të gjitha klubet dhe të gjitha sportet të ndihmojnë në rritjen e frymës sociale tek këta të vegjël që me fanatizëm ruajnë brenda tyre dashurinë për futbollin. T’u japim shansin të prekin më nga afër idhujt e tyre duke i treguar se KF Tirana dhe futbolli shqiptar i mirëpret gjithmonë ata. Ky është vetëm fillimi!”, thuhet në postimin e Klubit.
/f.a/abcbews.al