Kryeministri Albin Kurti në letrën e tij dërguar ambasadorit të BE-së në Kosovë Tomas Szunyog në lidhje me organizimin e zgjedhjeve serbe të 3 Prillit ka shprehur keqardhjes për siç ka thënë ai bashkëpunimin në mirëbesim me BE-në dhe QUINT-in për të gjetur zgjidhje të pranueshme për dy shtetet përderisa strukturat ilegale të Serbisë po përgatisin të organizojnë zgjedhje në territorin e Kosovës.
Kurti në letrën e tij dërguar shefit të BE-së në Prishtinë tutje ka thënë se Beogradi zyrtar në propozimin e tyre kanë deklaruar se “zgjedhjet do të mbahen” në vend se të kërkojnë që ato të mbahen.
Letrën e plotë të Kurtit e ka publikuar koha.net, përcjell Gazeta Express.
I nderuar Ambasador Szunyog,
Ju faleminderit që ma përcollët propozimin e Beogradit mbrëmjen e së premtes.
Zgjedhjet e 3 prillit e Serbisë mund të mbahen në Republikën e Kosovës vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive tona përkatëse. Për këtë qëlliim, ishim duke pritur një kërkesë nga Qeveria e Serbisë drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës. Zyrat ndërlidhëse (për dallim nga ‘zyrtarët’) janë vetëm mjete për bartjen e komunikimeve ndërqeveritare, jo zëvendësime politike apo institucionale të komunikimeve të tilla. Për më tepër, Beogradi as që e përmend Qeverinë tonë, porse na quan “autoritetet relevante qevërisëse të Kosovës”.
Është për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe Quint-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive tona, strukturat ilegale të Serbisë po mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin tonë sikur të mos ekzistonte Qeveria jonë. Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës.
Në veçanti, Beogradi e përdor termin “votuesit me të drejtë vote” për t’iu referuar serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Mirëpo, kjo është sipas regjistrit civil të përcaktuar dhe të poseduar nga strukturat komunale ilegale të Serbisë në Kosovë, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet tona. Është me rëndësi që kjo orvajtje të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo të OSBE-së. Po ashtu, referimi i tyre te ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Për më tepër, kjo përpjekje për ta nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore, është duke ndodhur në një kohë kur Beogradi po tregohet destruktiv në shumë drejtime: duke refuzuar të zgjidhë problemin e mospagimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës; mungesa e marrëveshjes për targat e Kosovës dhe Serbisë; duke emëruar struktura ilegale si komisionerë zgjedhorë; duke përdorur mjete administrative për të kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc përmes deregjistrimit të tyre si banorë; dhe duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe ShBA-ve kundër Federatës Ruse për agresionin e saj ushtarak dhe pushtimin e Ukrainës.
Me gjithë këto vështirësi, më lejoni që ta përsëris falënderimin dhe vlerësimin tim për përpjekjet e vazhdueshme të BE-së dhe Quint-it për të na ndihmuar që ta zgjidhim këtë çështje sfiduese.
Nderimet më të larta,
Albin Kurti./Express