Paguajtëm gabimet e shtatorit, Chellini: Eliminimi një zhgënjim i madh

schedule23:19 - 24 Mars, 2022

schedule 23:19 - 24 Mars, 2022

Rrugëtimi i Italisë në Botëror mori fund mbrëmjen e sotme, teksa u mposhtën në limit nga Maqedonia e Veriut me gol të shënuar në minutën 90+2.

Një dramë e vërtetë kjo për kombëtaren italiane e cila zhgënjeu në këtë kompeticion, ndërsa një nga lojtarët që ishte në fushën e lojës ka marrë guximin për të folur pas kësaj ndeshje katastrofike.

Giorgo Chellini thekson se ky eliminim është një zhgënjim i madh për të gjithë, ndërsa nënvizon se po vuajnë pasojat e gabimeve që bënë në muajin shtator.

“Është e vështirë të shpjegohet, ka një zhgënjim të madh. Kemi bërë një lojë të mirë, por nuk gjetëm golin. Nuk kemi qenë mendjemëdhenj, kemi humbur diçka, kemi bërë gabime nga shtatori e deri më sot dhe tani po i paguajmë shtrenjtë”.

Kapiteni i kombëtares italiane e mban kokën lart, madje i del në mbrojtje trajnerit Roberto Mancini.

“Jam krenar për shokët e skuadrës, jemi të gjithë të shkatërruar dhe të thyer. Tani është e vështirë të flasësh, do të mbetet një boshllëk i madh që shpresoj të na shërbejë për të gjetur energjitë. Shpresoj që trajneri të qëndrojë, sepse është thelbësor për këtë kombëtare. Tani duhet t’i rikthehemi fitoreve, të shkojmë në Kampionatin Evropian dhe pas 4 vitesh të kthehemi në këtë Botëror të bekuar. Ndeshja ime e fundit në kombëtare? Nuk është koha për të folur për këto gjëra”, përfundoi Chiellini. /f.a/abcnews.al