Paul Pogba mund të luajë një ditë për Realin e Madridit. Ylli i Francës pohoi ëndrrën për t’u bashkuar me trajnerin Zidan, edhe pse u shpreh i lumtur tek Manchester United.
Një rikthim i lumtur, por mendimet duket se nuk janë vetëm këtu. Paul Pogba, të paktën, nuk lejohet që të përqendrohet tërësisht tek Franca, që do të luajë ndaj Moldovisë në eleminatoret e Europianit.
I bashkuar me kampionët e botës në kompleksin Klerfonten në Paris, mesfushori kreu detyrat e zakonshme përpara mediave, ku iu drejtua një pyetje pak “me spec”.
A mendon se mund të shkosh tek Reali, qoftë edhe jo këtë verë?
“E kam thënë edhe më parë, se Reali i Madridit është një klub i ëndërruar nga të gjithë, – u përgjigj Pogba, – një nga më të mëdhenjtë në botë. Aq më tepër me Zidanin si trajner, që do të ishte ëndërr për çdo fëmijë apo futbollist. Gjithsesi, unë jam i lumtur në Manchester, ku po luaj mirë, ku kemi një trajner të ri. Nuk di çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, por sot jam në Manchester dhe jam i lumtur”.
Pogba ndihet vërtet shumë mirë tek United, prej disa muajsh.
Largimi i Mourinhos dhe ardhja në stol e Solskjaerit ndryshuan totalisht atmosferën në “Old Traford”, por sidomos patën një ndikim thuajse magjik tek francezi.
Ai po shënon e po krijon gola me një ritëm që nuk ishte parë, në të kaluarën, në karrierën e tij. Nuk është e qartë nëse Reali e ka si objektiv Pogbanë, ndërsa besohet se po mendon më shumë për Hazardin dhe shokun e tij në kombëtare, Kilian Mbappenë e Paris SG.
Pogba, nga ana e tij, ka të njëjtin objektiv si gjithë futbollistët e nivelit të lartë. Ai dëshiron të fitojë trofe kolektivë dhe individualë, përveçse një rrogë të jashtëzakonshme.
Me Francën, e ka realizuar ambicien kryesore, pasi vjet në Rusi u shpall kampion i botës. Tashmë i mbetet ta bëjë edhe me klubet, pak rëndësi ka nëse tek Manchester United, apo tek Reali./abcnews.al