Presidenti Kroacisë, Zoran Milanoviç jëtë të enjte ka qenë pjesë e samitit të NATO-s të mbajtur në Bruksel. Milanoviç në fjalën e tij është shprehur se ka propozuar që Kosova të integrohet në Aleancën Veriatlantike, duke shtuar se kështu mund të bëhet shtet i plotë.
“Katër vendet anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai është shprehur se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.
“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, është shprehur Milanoviç.
Ndërkohë kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO./abcnews.al