PD prezanton projekt-rezolutën për rritjen e çmimeve, Alibeaj: Jo luftë politike, mendoni për familjet shqiptare

schedule14:27 - 24 Mars, 2022

schedule 14:27 - 24 Mars, 2022

Në kuadër të rritjes së çmimeve gjatë ditëve të fundit në vendin tonë jo vetëm për karburantin por për të gjithë produktet ushqimore, këtë të enjte në seancën plenare Partia Demokratike i ka propozuar një projekt-rezolutë me 10 pika qeverisë.

Kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj në fjalën e tij në Kuvend ka prezantuar një nga një kërkesat e PD-së që qeveria duhet që të ndjekë 10 qeveria për të dalë nga kjo gjendje.

Projekt rezoluta e PD-së:

  1. Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;
    2. Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin;
    3. Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;
    4. Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;
    5. Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;
    6. Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;
    7. Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, vecanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;
    8. Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;
    9. Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;
    10. Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Ndër të tjerë Alibeaj ka bërë thirrje që në këtë situatë të lihet mënjanë lufta politike në Kuvend pasi do të ketë kohë plot për ta bërë dhe të mendohet për stomakun bosh të qytetarëve.

“Nuk është një instrument politik, dhe për të promovuar luftën politike në parlament por duhet që të vijë një moment dhe ai moment është sot që duhet që të mendohet me shpirt për familjen shqiptare. Teksa merrni fletën e votimit mendoni vetëm familjet shqiptare, dhe nuk do të lëshoj asnjë sinjal politik, por sot duhet që të mendojmë për barkun bosh të familjeve shqiptare”, ka thënë Alibeaj./abcnews.al