Deputetja Rudina Hajdari që nuk pranoi të dorëzonte mandatin si shumica e demokratëve, tregoi edhe arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim. Nga foltorja e Parlamentit deputetja Hajdari tha se do të sjellë një model të ri në politik, që do i japë fund njëherë e mirë tranzicionit në Shqipëri.
“Do hedh hapa të sigurt larg politikës së vjetër. Vendime që i përkasin të ardhmes së Shqipërisë. Do vij me propozime të qarta për ta kthyer vendin në normalitet. Unë ndenja në Parlament se unë dua të sjell një model të ri në politik, që do i japë fund njëherë e mirë tranzicionit në Shqipëri”.
Ajo foli për protestën e studentëve, duke thënë se revolta e tyre u përça nga ndërhyrjet e të gjitha partive.
“Rinia tregoi vullnetin popullor kundër sistemit politik të instaluar prej 28 vitesh, sistem i cili nuk është shkëputur as sot e kësaj dite nga regjimi i kaluar. Protesta e studentëve rrezikoi elitën politike ndaj të gjitha palët bënë ç’është e mundur për të përçarë kauzën e tyre. Dalja e studentëve në sheshet e Tiranës shkaktoi një metamorfozë politike. Të rinjtë dhe studentët folën qartë.
Ky model i vjetër politik që nuk do t’ja dijë për vlerat, moralin dhe jetën, duhet të marrë fund. Për 3 dekada me radhë kanë sjellë që ne mos ti ndahemi thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vrasjet në qendrat e qyteteve, abuzimi me fëmijët, largimoi në masë, janë bërë një epidemi shkatërruese për të gjithë vendin. Jam e bindur që kjo qeveri nuk do t’ja dijë më as për mbështetësit e saj”, u shpreh deputetja demokrate Rudina Hajdari./abcnews.al