Opozitës në Kuvend i janë shtuar këtë të enjte edhe tre deputetë të tjerë, të gjithë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Njëri prej tyre, Ralf Gjoni u përball me një sulm me bojë teksa po dilte nga banesa për të shkuar në parlament.
Kështu e nisi ditën e parë të punës deputeti Ralf Gjoni. Me bojën e kuqe në fytyrë tregon për pritën që i bënë jashtë derës së shtëpisë.
“Në fakt nuk e prita dhe më frikësoi në fillim sepse ishte e papritur. Dua të them që ai dhe ajo që e kanë porositur këtë lloj rrugaçërie duhet ta dinë që jam këtu dhe kam ardhur të betohem dhe nuk frikësohem në asnjë moment për atë lloj destabilizimi që duan të mbjellin. Kam ardhur për t’u betuar jo për t’u bërë lajm. Nuk kam ardhur për të marrë një rrogë të qelbur”, tha Gjoni.
Kjo nuk e ndryshon mendimin e kryetares së Lëvizjes Socialiste për të.
“Po të ishte për të sulmuar, do i kishim sulmuar me kohë, por shpresoj që viktimat e radhës së Edi Ramës të mos jenë deputetët e opozitës së re të tij”, tha Kryemadhi.
Në seancën parlamentare të kësaj të enjteje opozitës së re iu shtuan tre deputetë. Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë përfaqësuesit e rinj të Lëvizjes Socialiste për integrim.
Në krah të tyre qëndrojnë edhe ata që nuk pranuan të dorëzojnë mandatin, dy prej të cilëve vendosën ta sqarojnë vendimin e tyre.
“Asnjë nuk mund ta gjykojë vendimin tim ashtu si vetë historia. Prandaj unë do bëj hapa të sigurtë drejt parimeve të mia, larg politikës së vjetër”, tha Rudina Hajdari.
“Unë për të mos qenë ushtar kam shkuar në shkollën e lartë. Nuk vihem rresht”, tha Murrizi.
Të dy deputetët demokratë ofrojnë një zgjidhje sipas mënyrës së tyre për daljen nga kriza politike.
“Në ditën dhe në muajt që do vijnë do vij me propozime konkrete për të ndryshuar dhe për ta kthyer vendin në normalitet. Arsyeja përse unë kam hyrë në politikë dhe qëndrova në parlament është padyshim sepse unë dua të sjell një model të ri politk, një frymë të re parlamentare. Do t’i jap fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit në Shqipëri”, tha Hajdari.
“Kjo është një thirrje e imja, që të ndryshonim këtë sistem zgjedhor. Boll jeni tall me shqiptarët. Kush e bëri këtë ligj. Kaç Islami jonë që u përcoll këtej nga ne, dhe Rusmajli jonë që është andej nga ju”, tha Murrizi.
Pavarësisht qëndrimit opozitar pranuan të votojnë pro disa projektligjeve.
“Meqenëse mu dha fjala dua të shpreh miratimin tim për marrëveshjen mes qeverisë gjermane dhe qeverisë shqiptare, e cila do i japë një impuls jo vetëm zhvillimeve urbane, por edhe zhvillimeve rurale, aty ku drita elektrike mungon”, tha Roshi.
Kjo është opozita e re në parlament që ashtu si mazhoranca socialiste i duhet të kujdeset për të shmangur opozitën tjetër që I pret jashtë godinës së Kuvendit./abcnews.al