E ardhmja e Paolo Dybalas është akoma pezull, pasi palët nuk kanë gjetur akoma gjuhën e përbashkët nëse do të vazhdojnë rinovimin apo argjentinasi do të largohet gjatë merkatës së verës nga “Zonja e Vjetër”.
Në ndeshjen që Juventusi fitoi me Salarniatan në sfidën e javës së 30-të të Seria A, Dybala ishte protagonist teksa shënoi njërin nga 2 golat për bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit.
Pas ndeshjes, tekniku i “Zonjës së Vjetër” është pyetur edhe për të ardhmen e argjentinas, me Allegrin që është shprehur se nuk e di nëse Dybala do të vazhdojë të jetë te Juve apo jo.
“Raporti me Paulon dhe të gjithë lojtarët është i mirë. Ka shkëmbime opinionesh, unë jam gjithmonë i drejtpërdrejtë, por jam i tillë për të mirën e lojtarëve, të cilët e dinë se e kanë besimin dhe admirimin tim. Paulo ka ardhur si fëmijë nga Palermo, ai është bërë një lojtar i shkëlqyer. Nuk ka ndonjë problem.
Nuk e di nëse do të jetë apo jo lojtar i Juventusit, kjo është çështje e klubit. Ne flasim shpesh me klubin, nuk është vetëm kontrata e Paulos që po përfundon, por edhe Bernardeschit, De Sciglios, Perinit e Cuadrados”, ka deklaruar Allegri për DAZN. /f.a/abcnews.al