OSBE njeh zgjedhje pa opozitën? Borchardt: Varet si zhvillohen

schedule15:09 - 19 Mars, 2019

schedule 15:09 - 19 Mars, 2019

Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borshardt, është shprehur kundër bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit, nga disa parti politike. Sa i përket njohjes së zgjedhjeve edhe pa opozitën, Borshardt përgjigjet se gjithçka varet nga mënyra se si ato do të zhvillohen.

Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchard ka komentuar sërish situatën politike në vend, pas mos dorëzimit të kandidatëve për KZAZ nga Partia demokratike, afati për të cilët skadoi ditën e hënë. Edhe pse opozita nuk ka folur për bojkot të zgjedhjeve, Borchardt njohjen e tyre nuk e lidh domosdoshmërisht me pjesëmarrjen e partive që sot përbëjnë opozitën e bashkuar.

“Nëse njihen apo jo zgjedhjet varet nga mënyra si ato zhvillohen, si dhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë, gjëra të cilat nuk mund t’i parashikoj. Përgjithësisht mund të them se dekurajojmë fuqimisht bojkotin elektoral. Shqipëria ka kohë që është shtyllë stabiliteti në rajon ndërsa tani po shohim një aksion parlamentar të paprecedent, që është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar”.

Arsye e këtij kundërshtimi për Borchardt është frika e ndezjes së një fitili që i vë flakën demokracisë parlamentare. Për argument ri-solli një të dëgjuar më parë.

“Kur do e kemi atë parlament që ka mandate katër vjeçar dhe e përfundon atë? Këtë herë deputetët i dogjën mandatet e tyre pas dy vitesh. Herën tjetër mund të gjejnë argument për të bërë të njëjtën gjë pas 8 muajsh, 10 muajsh apo një viti. Dhe ky do të ishte një shembull i keq për të gjithë rajonin”.

Janë disa vende, opozita e së cilave kryen bojkot parlamentar dhe një gjë e tillë sipas Borchardt nuk funksionon sepse nuk është në thelb të demokracisë parlamentare./abcnews.al