Mesfushori i Juventusit, Arthur është ftuar nga kombëtarja e Brazilit, ndërsa në një intervistë të dhënë për “Tnt Sports Brasil”, lojtari ka zbuluar më shumë rreth karrierës së tij.
Arthur ka pasur fatin të luajë me 3 lojtarët më të mirë, me Lionel Messin, Cristiano Ronaldon dhe Neymar.
Me “pleshtin” Arthur ka luajtur te Barcelona, me sulmuesin brazilian ai është shok skuadre te kombëtarja e Brazilit, ndërsa me CR7 ai ka qëndruar me të te Juventusi.
“Cristiano më befasoi me profesionalizmin e tij. Ai nuk është futbollist i zakonshëm, por një profesionist i madh për të gjithë punën që bën. Nuk e kam fjalën vetëm për atë që bën në fushë, ku mund ta shohin të gjithë, por jashtë saj.
Ai është një person që punon, ha mirë dhe rri 15 minuta në diell çdo ditë. Ai është një njeri profesionist, gjithashtu shumë miqësor, që përpiqet të të ndihmojë. Ai kujdeset për njerëzit rreth tij.
U ulëm bashkë me të në tavolinë, ndonjëherë na shikonte pjatën dhe na thoshte: Jo kështu, ej! Ai mundohet të të ndihmojë në çdo gjë, është një njeri i madh.
Më pas, Arthur ndalet te bashkatdhetari dhe bashkëlojtari i tij, Neymar: “Ai është një talent. Është rritur shumë që kur erdhi në Evropë. Sa më shumë presion të ketë, aq më mirë luan. Ai është një gjeni për atë që bën në fushë”.
“Unë e dua shumë, ai është një nga njerëzit që ndoshta më ndihmoi më shumë kur mbërrita në kombëtaren e Brazilit. Më bëri më mirë dhe më ndihmoi shumë. Është privilegj të jesh miku i tij”.
Arthur e mbyll me Messin, partnerin e tij në kohën e Barcelonës: “Duket se Zoti e preku me gisht. Ai është një alien, sepse bën gjëra të mrekullueshme në fushë. Messi duket sikur e shikon të gjithë fushën e futbollit nga lart. Ai është i rezervuar, por edhe largpamës”.
“Një profesionist i madh, punon shumë. Ai ka një jetë më pak në qendër të vëmendjes se Cristiano dhe Neymar, por për shkak të personalitetit që ka mund të bëjë çfarë të dojë. Gjithashtu më ndihmoi shumë kur mbërrita në Barcelonë. Ai foli shumë mirë për mua. Ishte një privilegj të punoja me të”, ka shtuar më tej Arthur. /f.a/abcnews.al