Largimi i Strakoshës, Duka në krah të Panuçit

schedule18:48 - 18 Mars, 2019

schedule 18:48 - 18 Mars, 2019

Disiplina në kombëtare është mbi gjithçka. Presidenti i Federatës, Armand Duka, flet pas përjashtimit të portierit Tomas Strakosha për ndeshjet e Europianit.

E di shumë mirë se çfarë përfaqëson ky lojtar. Armand Duka e ka të qartë se çfarë humbet ekipin përfaqësues pa Tomas Strakoshës, por gjithsesi, një drejtues duhet të dijë të bëjë vlerësimin e duhur.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ngurroi të tregonte se çfarë qëndrimi do të mbajë pas përjashtimit të portierit nga trajneri Kristian Panuçi, për ndeshjet e Europianit ndaj Turqisë dhe Andorrës.

“Më vjen keq në fakt për portierin e kombëtares Strakosha. Është një nga lojtarët më të rëndësishëm, më kualitativ të skuadrës, por edhe disiplina është një lojtar akoma më i rëndësishëm për skuadrën. Nga kontaktet që kam pa me trajnerin nuk ka pasur arsye objektive nga portieri për të munguar”, tha Duka.

Duka u shpreh se ekipi i duket mirë, por pati një vërejtje në prag të eleminatoreve.

“Brenda nesh çdo gjë po përgatitet mirë, por në fakt atmosferë për një ndeshje eliminatore kaq shumë të rëndësishme sa është nuk është se e ndiej. Nuk e di pse. Në ambientin përreth ndoshta nuk ka shumë interes”, tha  Duka.

Një shqetësim i madh u ngrit pas ndeshjes së Fushë-Krujës, mes Kastriotit dhe Tiranës.

“Me gjithë respektin për trajneri e Tiranës Ard Mema, që është një personazh shumë i rëndësishëm i futbollit tonë, gaboi që hyri në fushë. Ishte i dënuar me karton të kuq dhe normalisht nuk duhet të hynte në fushë. Unë jam shumë i sigurt që Ard Mema nuk do shkonte me godit arbitrin, por gjithsesi rregullorja të ndalon. Nuk ishte dhunë në fushë, por thjesht ndërhyrje për të eliminuar atë që quhet dhunë”, tha Duka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!