Prokurorët e Milanos, në Itali, kanë nisur hetimet mbi vdekjen e dyshimtë të një modeleje marokene. Vajza përflitet se ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në festat e seksit të ish-kryeministrit Silvio Berluskoni dhe vite më parë kishte dëshmuar kundër tij.
Autoritetet në Itali kanë nisur një hetim për vrasje pas vdekjes së dyshimtë të një modeleje marokene që kishte dëshmuar kundër ish-kryeministrit Silvio Berluskoni në vitin 2012. Imane Fadil, 33 vjeç, ndërroi jetë më 1 Mars në një spital të Milanos, një muaj pasi ishte shtruar për dhimbje të forta në stomak. Atëherë Fadil tha se ishte helmuar dhe mediat italiane shkruajnë se ajo mund të jetë helmuar me një substancë radioaktive. 33-vjeçarja ishte një dëshmitare kyçe në procesin ndaj Berluskonit, që akuzohej për marrëdhënie seksuale me prostituta minorene.
Politikani 82-vjeçar fillimisht u dënua për akuzën në fjalë, por u shfajësua në apel, për t’u dënuar më pas për evazion fiskal, një dënim që e shleu me punë në komunitet. Duke reaguar lidhur me rastin ditën e shtunë, Berluskoni tha: “Është një fatkeqësi që një vajzë e re humb jetën, por unë nuk e kam takuar kurrë atë, nuk kam folur kurrë me të”. Ai ka shtuar se çdo lidhje e përfolur mes tij dhe së ndjerës është një shpikje dhe një absurditet. Ndërkohë, kryeprokurori i Milanos, Françesko Greko ka deklaruar për agjencinë “Reuters” se në raportet mjekësore lidhur me vdekjen e Imane Fadil ka “anomali të shumta”.
“Mjekët nuk e kanë identifikuar ende me siguri patologjinë që mund të sqarojë vdekjen e saj”, ka deklaruar Greko. E përditshmja “Korriere dela Sera” raportoi ndërkohë se spitali i Milanos ka dërguar kampione në një laborator të specializuar dhe rezultatet sugjerojnë një prani të theksuar substancash radioaktive në trupin e vajzës. Sidoqoftë, kjo nuk është konfirmuar ende nga prokurorët italianë./abcnews.al

