3 persona janë arrestuar në Durrës pasi janë kapur duke shitur kapsolla elektrodetonatore, që ndryshe njihen si kapsolla për eksploziv. 2 prej tyre po qarkullonin me një automjet tip “Audi”, me të cilin kanë shkuar te Shkëmbi i Kavajës, ku i priste një 32 vjeçar i cili kishte ardhur nga Përmeti dhe kishte me vete një çantë krahu dhe një kuti kartoni brenda të cilave kishte pako me kapsolla elektrodetonatore (gjithsej 2000 copë).
Në momentin e shkëmbimit të kapsollave, të tre janë kapur në flagrancë. Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Ditë Vere” në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2000 kapsolla elektrodetonatore, një xhaketë dhe një pulovër si ato të Policisë (me simbole të Policisë), një kapuç, një thikë, automjeti tip “Audi” dhe 4 aparate celulare.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ditë Vere”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës. Sekuestrohen 2000 kapsolla elektrodetonatore. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, në momentin e shitjes së kapsollave.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Ditë Vere”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- A.Q., 32 vjeç, lindur dhe banues në Përmet;
Xh. V., 22 vjeç, i dënuar më parë dhe L. B., 18 vjeçe, të dy banues në Durrës.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, te Shkëmbi i Kavajës, në momentin e shitjes së kapsollave elektrodetonatore. Shtetasi Xh. V. dhe shtetasja L. D. po qarkullonin me një automjet tip “Audi”, me të cilin kanë shkuar te Shkëmbi i Kavajës, ku i priste shtetasi A. Q., i cili kishte ardhur nga Përmeti dhe kishte me vete një çantë krahu dhe një kuti kartoni brenda të cilave kishte pako me kapsolla elektrodetonatore (gjithsej 2000 copë). Në momentin e shkëmbimit të kapsollave, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Xh. V. i është gjetur një thikë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2000 kapsolla elektrodetonatore, një xhaketë dhe një pulovër si ato të Policisë (me simbole të Policisë), një kapuç, një thikë, automjeti tip “Audi” dhe 4 aparate celulare. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
/abcnews.al