Parlamenti britanik miraton mocionin e kryeministres May

schedule10:56 - 15 Mars, 2019

schedule 10:56 - 15 Mars, 2019

Parlamenti britanik miratoi mocionin e kryeministres May për një shtyrje të afatit për Brexit, si dhe për një votim të tretë të marrëveshjes së arritur me Brukselin. Ndërkohë presidenti amerikan Trump kritikoi May duke thënë se nuk i kishte menaxhuar mirë negociatat.

Qeveria e Theresa May më në fund ka arritur një sukses të vogël në Dhomën e Përbashkët të parlamentit britanik. Me 412 vota pro dhe 202 kundër, deputetët miratuan mocionin për një shtyrje të vogël që do i lejojë Londrës që të kërkojë një shtyrje të Brexit. Pra nga data e caktuar 29 Mars, në 30 Qershor. Objektivi është ripropozimi për herë të tretë për ratifikim në parlament, marrëveshjen e arritur me Brukselin në Nëntor për daljen e vendit nga BE. Një marrëveshje që është rrëzuar dy herë. Votimi i radhës duhet të mbahet brenda së mërkurës.

Nëse dhe në votimin e tretë për marrëveshjen Londër–Bruksel, plani i May do të rrëzohet sërish, atëherë qeveria do të kërkojë në çdo rast shtyrjen e Brexit, por kushtet do të jenë vetëm në dorë të Bashkimit Europian. Kryeministrja paralajmëroi se mundësia për shtyrjen e afatit mund të japë vetëm tre muaj kohë.

Por të paktën për tani nuk do të ketë një referendum të ri për Brexit. Parlamenti britanik rrëzoi me 334 vota kundër dhe vetëm 85 pro, një amendament që kërkonte një referendum të dytë pas atij të vitit 2016. Vetëm promovuesit e idesë së një referendumi të dytë u shprehën se ky nuk është momenti i duhur për një votim të ri.

Nuk ka kaluar votimin as amendamenti i promovuar nga lideri laburist Jeremy Corbyn për të bllokuar përpjekjet e May për të prezantuar për herë të tretë në parlament marrëveshjen për daljen nga BE. Përballë kësaj situate pasigurie duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të përgatitemi për një Brexit pa marrëveshje, pasi 29 Marsi është shumë pranë. Ishte ky reagimi i kryenegociatorit të BE-së për Brexit, Mishel Barnier, i cili shtoi se pasojat e kësaj situate nuk duhen nënvlerësuar.

Ndërkohë kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, kritikoi May për mënyrën se si kryeministrja ka menaxhuar negociatat për Brexit. Ai u shpreh se May nuk i kishte dëgjuar këshillat e tij. Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të qëndrojnë jashtë negociatave për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Gjithsesi për presidentin amerikan një votim  tjetër për Brexit do të ishte i pamundur pasi është e padrejtë. “Negociatat duhet të vazhdojnë dhe pse duhej të ishin kryer në një mënyrë tjetër”, përfundoi ai

Shtyrja e aftit të vendosur në bazë të artikullit 50 për Brexit, nuk është automatike. Tashmë i takon liderëve të 27 vendeve anëtare të vendosin, dhe vota duhet të jetë unanime. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i komisionit të BE pas votimit në parlamentin britanik./abcnews.al