Shëngjin, rruga e re pa trotuare, mungojnë dhe kanalizimet

schedule16:46 - 10 Mars, 2022

schedule 16:46 - 10 Mars, 2022

Nga Gjergji Figuri

Rruga nga Shëngjin drejt Ranës së Hedhur që parashikohet të zgjidhë trafikun duket se që në nisje të punimeve ka probleme. Në këtë rrugë 1.6 km, janë asfaltuar rreth 500 metrat e pare. Nuk janë bërë kanalizime.

“Kjo dhoma do më përmbytet”.

Disa banesa rrezikojnë të përmbyten. Shtëpia pas meje do të përmbytet me shirat e parë sepse niveli i rrugës nuk ka asnjë mundësi të largojë ujin por dhe mungojnë e kanalet kulluese.

“Padrejtësisht e kanë çuar në atë nivel sa do detyrohemi të marrim material për ti mbushur dhe do na kushtojë shumë. S’kemi ku i çojmë shtëpiat me krik si marrim dot. Kjo vetëm punë s’quhet. Me mirë të kishin marrë lekët e të kishin ikur. Biseduam me firmën dhe nuk na përfillën. Na thanë që rruga do bëhej me pjerrësi por nuk e bënë”.

“Më ka ardhur uji një pëllëmbë dhe tani do vijë deri në gju. S’ka tubacione”.

Abc pyeti në Bashkinë e Lezhës dhe mësoi se kanalizimet do të jenë pjesë e një projekti të dytë.

Në këtë zonë të banuar nuk janë bërë as trotuar.

“ Njerëz s’kanë ku të ecin, makinat nuk hapin rrugë”.

Duket se edhe problem i trafikut në verë nuk do të marrë zgjidhje. Në një pjesë të rrugës qarkullimi i mjeteve do të vazhdojë të bëhet me një kalim, pasi rruga nuk është zgjeruar prej disa banesave që ndodhen shumë pranë.

“Ky segment është vetëm një kalimsh, këtu do bëhet katastrofë  Këto dy shtyllat mund të spostoheshin të zgjerohej rruga”.

Bashkia e Lezhës sqaron për abc se kontrata nuk parashikon shpronësime.

Kjo ka qenë një rrugë shumë e dëmtuar. Ndaj verën e kaluar u lejua kalimi I pushuesve drejt Ranës së Hedhur përmes rrugës së portit. Edhe pse është rrugë dy kalimshe gjatë verës dhe kryesisht gjatë ditëve kur mbahej festivali I muzikës elektronike UNUM, trafiku nuk u shmang.

Kur të përfundojë kjo rrugë e re, aksi nga porti do të bllokohet pasi ndodhet baza ushtarake e Shëngjinit. Por me këto parametra që po ndërrohet rruga e re trafiku do jetë I pashmangshëm. Përgjatë këtij aksi nuk ka asnjë tabelë orientuese mbi projektin, kompaninë që ka fituar tender, vlerën dhe kohëzgjatjen e ndërtimit. Abc mësoi se ky është një projekt i qeverisë dhe kërkoi të dhëna pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por nuk morëm përgjigje.

/abcnews.al