I ftuar në ‘Radarin Informativ’ në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, përfaqësuesi i Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, njëherësh ekspert ekonomie foli për rritjen galoponte të çmimeve.
Shkodra tha se nuk është faji i tregtarëve për rritje, pasi ata thjeshtë po pasqyrojnë atë që po ndodh në tregjet ndërkombëtare.
Ndërsa nënvizoi se qeveria duhet të ulet patjetër me prodhuesit për të ulur kostot tek qytetarët, në të kundërt rritja nuk dihet deri ku mund të shkojë.
‘Tregtari shqiptar është i detyruar të pasqyrojë çmimet nga prodhuesit e huaj. Çfarë mund të bëjmë bashkaristgt për të ndaluar rritjen galopante të çmimeve? Qeveria nuk po gjen kohën për të diskutuar, nëse do të kishim një dialog, sot do të ishim duke luftuar spekulantët, spekulantët nuk i do biznesi i ndershëm. Mos harrojmë që kemi një ekonomi gati 50% informale. Ndërtimi është me shifra të çmendura sa i përket lëndës së parë që po merr, mallrat kanë kapërcyer nivele të frikshme. Karburanti është një produkt që ka rregullator shtetëror, është një mall që tregohet në bursë, unë nuk besoj se qeveria është në pamundësi për të ulur dhe diskutuar amortizimin’, tha Shkodra.
Më tej eksperti theksoi se në Shqipëri situata është alarmante pasi rezervat e konsumit janë të limituara për shkak të problemeve që ka patur biznesi, ndërsa i bën apel qeverisë për një tryezë të menjëhershme për gjetjen e një zgjidhjeje.
Sipas tij konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë nuk dihet sa do të vijojë, prandaj qeveria duhet të jetë pranë biznesit për të gjetur një mekanizëm që t’i vijë në ndihmë konsumatorit.
‘Prodhuesit shqiptarë kanë rezerva të limituara. Gjërat janë shumë të limituara në Shqipëri. Është mirë që ne të kemi një instrument të përbashkët me qeverinë, që të krijojmë rezerva strategjike’, u shpreh Shkodra.