Kalifornia pezullon dënimin me vdekje

schedule21:42 - 13 Mars, 2019

schedule 21:42 - 13 Mars, 2019

Kalifornia ka pezulluar dënimin me vdekje me arsyetimin se një vend civil nuk mund ta lejojë një gjë të tillë. Aktualisht janë 740  të burgosurit në pritje të ekzekutimit, ndërsa guvernatori Newsom u shpreh se dënimi me vdekje ka diskriminuar njerëzit me probleme mendore, ata me ngjyrë dhe latinët.

Ekzekutimi i fundit u krye në vitin 2006, por në pritje janë 740 të burgosur. Kalifornia shënon numrin më të lartë të të dënuarve me vdekje në të gjithë kontinentin amerikan. Dënimi me vdekje, i cili hyri sërish në fuqi në vitin 1976, tashmë do të pezullohet. Guvernatori i Kalifornisë, Gevin Newsom, dekretoi një moratorium mbi ekzekutimet e dënimeve me vdekje. Shteti i bregut perëndimor është një nga ata me më pak ekzekutime në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vetëm 13 të tilla.

Moratoriumi sjell dhe mbylljen e qelisë së ekzekutimeve në burgun e San Kuintinos. Newsom, demokrat, me anë të një deklarate për media u shpreh se dënimi me vdekje ishte një dështim. Sipas tij janë diskriminuar të dënuarit me probleme mendore, afroamerikanët, latinët dhe të gjithë ata që nuk kanë mundësi financiare për të paguar një mbrojtje të kushtueshme.

Ai theksoi se një shoqëri civile nuk mund të pretendojë të jetë një lider në nivel botëror deri sa qeveria vazhdon të dënojë me vdekje njerëzit. Me këtë vendim, Kalifornia i është bashkuar Pensilvanisë, Oregonit dhe Kolorados, të cilat kanë pezulluar dënimin me vdekje prej kohësh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!