Përgatituni! Nga veshja tek guximi ekstrem: Kiara, Niko, Miranda zbulojnë detajet

schedule18:18 - 8 Mars, 2022

schedule 18:18 - 8 Mars, 2022

Rinis spektakli “Style Star” në Abc News Albania, në sezonin e tij të dytë. Nën drejtimin e Kiara Titos, dhe gjykimin e Miranda Dupit dhe Niko Komanit, spektakli i modës hap siparin më 11 Mars. Të gjitha risitë u zbuluan në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin, ku tre të ftuarit rrëfyen eksperiencën e audicioneve dhe disa sekrete të prapaskenave.

“Kemi parë në Shqipëri dhe në Kosovë, ishin shumë të përgatitur. Kishte dhe nga ata që ishin të gojës, të athët.” – shprehu Niko Komani mbi pjesëmarrësit në audicionet e mbajtura në javët e kaluara, ndërkohë që moderatorja Kiara Tito shtoi se presin një mori komentesh dhe shikueshmërie si pasojë e energjisë së mirë të këtij sezoni.

“Këtë vit janë totalisht ndryshe nga sezoni i kaluar, kam përshtypjen se janë motivuar.” – tha Tito. Pyetjes së Ermalit mbi presionin online, dhe mbi të gjitha komenteve të shumta që marrin jo thjesht si personazhe publike por edhe pjesë e “Style Star”, Niko iu përgjigj kështu:

“Kushedi sa do më paragjykosh te episodi i parë, është veshja më e guximshme që kam krijuar në karrierën time për veten time. Look-u i parë do më përgatisë, u konsultova dhe me Kiarën ajo tha bëhu gati për komentet. Ndërkohë vetë televizioni që e pranoi atë veshje më la të kuptoj që janë tepër mendje hapur.” –ndërkohë që Kiara shtoi se është veshja më e guximshme që ka parë ndonjëherë në televizionet shqiptare.

Ndonëse do të shohim shumë elemente te reja në këtë sezon, një gjë është e sigurt; ngacmimet mes Miranda Dupit dhe Niko Komanit do të vazhdojnë. Me notat humori në bisedë, Dupi shprehu se është emotive dhe prek shpejt qoftë në ekran apo në jetën e përditshme por “sherret” me Komanin janë konstruktive positive dhe siç i gjuajti edhe vetë, lezeti i mbrëmjes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!