U gëlltit dhe pastaj u nxorr sërish nga goja e balenës. Është kjo historia e pabesueshme e fotografit 51-vjeçar, i apasionuar pas botës nënujore. Para mediave, ai deklaroi se nuk kishte pasur kohë të ndjente asnjë emocion.
Balena e gëlltiti dhe më pas e nxori sërish nga goja. Aventurën e pabesueshme e përjetoi Rainer Schimpf, në Afrikën e Jugut. 51-vjeçari, regjisor i videove nënujore, po eksploronte me disa miq të tij ujërat e oqeanit Indian. Objektivi i tij ishte që të ndiqte dhe të filmonte një koloni sardelesh. Në kërkim të fotografisë së përsosur, ai e pa veten në një sekondë brenda gojës së balenës.
Duke folur për gazetarët, ai u shpreh se nuk kishte pasur kohë të ndjente asnjë emocion, as frikë. Ai mbajti frymën i bindur se balena do të hidhte sërish jashtë. Edhe pse minimizon situatën, aftësia e tij e përqendrimit dhe njohuritë për oqeanin dhe specieve që jetojnë në të, i shpëtuan jetën. Ai rrëfen se kishte ndjerë një presion të madh kur balena e kuptoi se kishte gabuar ushqim.
Bashkëshortja e tij ka parë të gjithë skenën nga një anije e vogël. Ajo lloj balene është 11 metra e gjatë dhe ushqehet zakonisht me specie të vogla, por jo me njerëz./abcnews.al