I vetmi i shpëtuar, 12-vjeçari shqiptar gjeti nënën dhe babanë të vrarë, vëllezërit të mbytur në dhomën tjetër: Detaje tronditëse nga masakra në Greqi

schedule10:40 - 5 Mars, 2022

schedule 10:40 - 5 Mars, 2022

Mediat greke kanë publikuar detaje tronditëse nga vrasja e katër pjestarëve të familjes Kloçi në Andravida të Greqisë prej pronarit të shtëpisë ku ata banonin me qira. 61-vjeçari grek donte që ta nxirrte familjen jashtë shtëpisë para mbarimit të kontratës pasi kishte gjetur një qiramarrës që paguante më shumë.

Kjo sipas mediave greke kishte bërë që ai të konfliktohej vazhdimisht me familjen shqiptare duke i ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike. Por, nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka bërë një plan të mirëfilltë kriminal për vrasjen e tyre duke e realizuar atë të mërkurën kur katër anëtarët e familjes ndodheshin në shtëpi.

Pasi ka marrë pistoletë me vete, greku ka shkuar në shtëpinë ku banonte familja Kloçi dhe fillimisht ka qëlluar ndaj Armandos, babait të familjes dhe më pas ndaj Marias. Pasi i ka vrarë ata, ai i është drejtuar dhomës së fëmijëve duke mbytur me duar dy fëmijët, njëri 4 vjeç dhe tjetri 2 vjeç.

Lexo edhe: Vrasja e familjes shqiptare në Greqi, u masakruan nga pronari i shtëpisë për qiranë, donte t’i përzinte

Masakrës i shpëtoi vetëm djali 12-vjeçar i familjes, i ishte jashtë duke luajtur me shokët pasditen e së mërkurës. Ai është kthyer në shtëpi pak orë pas krimit duke i rënë derës, por atë nuk e hapi askush.

Më pas, 12-vjeçari hyri nga dritarja dhe fillimisht u fut në dhomën e vëllezërve, të cilët dukeshin sikur ishin në gjumë. Më pas ai i kërkoi nëpër shtëpi, gjeti babanë dhe nënën të vdekur në tokë. Në këtë moment thërret shokët që ndodheshin jashtë duke i thënë se nënës dhe babait i kishte ndodhur diçka dhe futet sërish në dhomën e vëllezërve, dhe sheh që kishin një shenjë të kuqe në qafë. Ata nuk jetonin më.

Policia greke e arrestoi 61-vjeçarin një natë më parë në Patra, pasi ai ishte rikthye në shtëpinë ku kishte kryer krimin me qëllim largimin e provave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!