FSHF e qeveria shqiptare, konferencë të përbashket për sigurinë në stadium

schedule19:36 - 10 Mars, 2019

schedule 19:36 - 10 Mars, 2019

Federata e Futbollit dhe qeveria shqiptare mbajnë këtë të hënë një konferencë të përbashkët lidhur me sigurinë në stadiume, dhe modernizimin e tyre. Nuk dihet nëse kryeministri Rama do të pranojë kërkesën për kthimin e Policisë së Shtetit në stadium.

Qeveria e futbolli do të jenë krah për krah, por ndoshta edhe ballë për ballë. Një konferencë e përbashkët e Federatës Shqiptare me kryeministrin Edi Rama do të mbahet në ditën e parë të javës, me temën “Siguri – Reformim – Modernizim”.

Nuk është ende shumë e qartë se çfarë fshihet pas këtyre fjalëve, por është e qartë se konferenca bëhet e nxitur nga dhuna në stadiume, që kulmoi në atë të Kamzës me dhunimin e arbitrit të ndeshjes.

Një takim paraprak u zhvillua të enjten mes presidentit të Federatës, Duka, dhe Ramës, dhe më pas u vendos për dalje të përbashkët përpara mediave dhe publikut.

Federata ka kërkuar kthimin e Policisë së Shtetit në stadium, duke deklaruar se është gabuar me interpretimin e Ligjit për Sportin, dhe me tërheqjen forcave të rendit jashtë rrethimit të jashtëm të stadiumeve.

Gjithsesi, konferenca ka si tema edhe reformimin e modernizimin, ndërsa në të pritet të marrin pjesë mjaft presidentë dhe drejtues të klubeve.

Besohet se prej tyre do të ketë kërkesë për ndryshimin e ligjit për sponsorizimin në sport, I cili sot I nxit shumë pak për të investuar.

Një kërkesë tjetër që pritet të bëhet nga Federata dhe klubet, ka të bëjë me infrastrukturën.

Duka e kritikoi ashpër qeverinë në intervistën e fundit për ABC News-in.

Gjithsesi, nuk është e sigurt nëse do të ketë marrëveshje mes palëve. /abcnews.al