Greqi/Kapen 2 tonë kanabis e një gomone

schedule10:13 - 26 Nëntor, 2017

schedule 10:13 - 26 Nëntor, 2017

Autoritetet greke kanë arrestuar 4 shqiptarë dhe dy italianë në një operacion të gjerë antidrogë. Mësohet se ata po transportonin mbi 2 tonë kanabis për në Greqi me anë të një skafi të fuqishëm. Lënda narkotike ishte ngarkuar në Shqipëri.

Autoritetet greke kanë shkatërruar një bandë italo-shqiptare që merrej me trafikimin e drogës me skafe të fuqishme në Adriatik dhe Jon. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke që shkruajnë se operacioni i ngjan një skenari të filmave aksion. Gjatë orëve të vona të së shtunës në ishullin Tzia në afërsi të Korfuzit janë arrestuar 6 persona, 4 shqiptarë dhe 2 italianë.
Gjithashtu, në operacionin që po konsiderohet si më i madhi në historinë e Rojeve Bregdetare të Greqisë, janë sekuestruar më shumë se 2 tonë kanabis. Të premten, lënda narkotike fillimisht është ngarkuar në një gomone 12 metra të gjatë me 3 motorë në Shqipëri, më konkretisht mediat shkruajnë në Himarë. Më pas mjeti lundrues me dy shqiptarë dhe një italian në bord është nisur në drejtim të ishujve grekë.

Por ata janë zbuluar nga një helikopter që po patrullonte në zonë, i cili ka dhënë alarmin për autoritetet. Menjëherë në ndjekje të gomones janë vënë agjentët anti-drogë, policia kufitare, policia detare dhe ajrore të forcave speciale të Greqisë. Madje nga një helikopter është qëlluar me snajper në drejtim të mjetit lundrues. Nga të shtënat, një shtetas shqiptar mbeti i plagosur, sipas mediave greke. Pas një ndjekje të gjatë, fillimisht u bë e mundur arrestimi i 2 shqiptarëve dhe italianit që ishin në bordin e gomones.
Më pas, operacioni vijoi me kontrolle në disa banesa në Notia Proastia. Mësohet se aty janë arrestuar dhe dy shqiptarët e tjerë dhe një shtetas italian që kishin lidhje me trafikun e mbi 2 tonëve drogë. Mediat greke nënvizojnë se gomonja me lëndën narkotike në bord do të bënte tranzitin në Greqi pasi destinacioni final ishte toka italiane./abcnews.al

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!