Në “Air Albania” do të luhet edhe derbi i kryeqytetit ditën e shtunë ora 19:45. Tirana dhe Partizani do të përplasin “brirët” mes tyre.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Orges Shehi ka folur për përballjen me demat dhe tek vështirësinë që ka kjo ndeshje edhe për vetë faktin se të dyja skuadrat vijnë nga fitoret e javës së kaluar.
Tekniku i bardhebluve ka theksuar gjithashtu se e kanë vlerësuar maksimalisht këtë përballje, dhe se kjo ndeshje do të vendoset nga episodet.
“Koha nuk është shumë e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen, por nisemi në kushte të barabarta si ne dhe kundërshtari. Do të fokusohemi më shumë tek aspekti teorik këto ditë.
Mendoj se pavarësisht se çfarë lojtarësh afron në merkato, cilësia e Partizanit nuk ndryshon. Derbi është derbi, renditja nuk ka rëndësi. Është një ndeshje që do të vendoset nga episodet. Si të tillë do e vlerësojmë.Ne jemi të kënaqur me atë që kemi dhënë. Duhet të jemi ata që kemi qenë në këtë periudhë. Të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, pasi objektivat janë të qarta.
Ismajlgeci? Ai vazhdon fazën e riardhjes, pasi qëndroi jashtë për një periudhë kohe. Ai është pjesë e skuadrës, forma e tij sa vjen dhe përmirësohet.
Unë mendoj se kemi bërë mirë në këtë kampionat, kemi fituar derbet ndaj Partizanit dhe Dinamos. Kemi marrë atë që kemi prodhuar dhe atë që kemi dashur. Rëndësi ka vazhdimësia, por le t’ia lëmë fushës.
Unë mendoj se kemi një skuadër të kompletuar, kemi një skuadër që është skuadër. Jemi të kënaqur me atë që po japin Seferi dhe Xhixha, po shënojnë, por jemi të kënaqur edhe me lojtarët e tjerë. Kemi ndërtuar skuadrën nga e para, po luftojmë dhe jemi të kënaqur.
Ne kërkojmë vlerësimin maksimal, pasi po shohim rezultate të çuditshme në këtë kampionat. Rezultatet e kaluara nuk vlejnë, vlen vetëm performanca e nesërme, aty do të përqendrohemi”, deklaroi trajneri i ekipit kryesues. /f.a/abcnews.al