Milot Rashica, një yll i Bundesligës

schedule22:29 - 9 Mars, 2019

schedule 22:29 - 9 Mars, 2019

Milot Rashica është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit gjerman. Shqiptari i Kosovës shënoi dy gola për Verderin, ndërsa ka 7 rrjeta deri tani, këtë sezon.

Çfarë duhet më shumë për t’u cilësuar një yll?

I tillë padyshim Milot Rashica, shqiptari i Kosovës që po shkëlqen në Bundesligën gjermane, shumë vite pas yjeve të Shqipërisë, Altin Lala apo Ervin Skela. Sulmuesi 22-vjeçar shënoi dy gola në përballjen e Verderit me Shalken, këtë të premte, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të mirë të ekipit të njohur të Veriut.

Në një ndeshje të fituar me fat, 4-2 në “Veser Shtadion”, Rashica barazoi rezultatin për 1-1 dhe pastaj shënoi golin e tretë për Verderin, duke e bërë triumfin më të sigurt. Ai nuk pati nevojë për shumë kohë përshtatjeje, dhe në 26 ndeshje të luajtura në Bundesligë, ka arritur në kuotën e 7 gola, si dhe duke shtuar një asist.

Me shpejtësinë, saktësinë në gjuajtje e pasim, me teknikën e lartë dhe vizionin e lojës, Rashica premton të jetë një yll në Gjermani për shumë vite. Kanë kaluar shumë pak vjet që kur ai nisi të bëhej i njohur, si pjesë e Shqipërisë U21 me trajnerin Redi Jupi, ndërsa në verën e 2016-ës, kombëtarja shqiptare e humbi, pasi nuk e grumbulloi për në finalet e Europianit.

Rashica kaloi te Kosova, për të cilën ka luajtur 20 ndeshje, duke qenë gjithashtu një nga lojtarët më të mirë në kualifikimin historik në Ligën e Kombeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!