Njihuni me Britney Spears shqiptare, vajzën që ka spikatur në muzikë dhe modeling në SHBA

schedule09:19 - 3 Mars, 2022

schedule 09:19 - 3 Mars, 2022

Është një emër pak i njohur për shqiptarët por në Shtetet e Bashkuara e njohin si Kebe. Kristine Elezaj nga Mali i Zi ka lindur në New York dhe ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme muzikore. Këngëtarja, njëherazi dhe modele, ka publikuar një sërë këngësh që nuk kanë kaluar pa vëmendje.

Ajo dha një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit” ku tregoi se babai i saj është shqiptar ndërsa nëna amerikane. Edhe pse ka lindur në Shtetet e Bashkuara, ajo tregoi se ka udhëtuar shpesh në vendlindje por dhe në Shqipëri. Mes të tjerash, Kristine tregoi se si nisi rrugëtimi i saj artistik.

“Isha 17 vjeç kur nënshkrova kontratë me Epic Record. Isha shqiptarja e parë që firmosja një kontratë me një kompani të madhe muzikore. Kam pasur një karrierë të gjatë. Nuk bëra kompromise për karrierën. U përpoqa të respektoja familjen dhe doja të isha një përfaqësuese e mirë për prindërit e mi në këtë industri. Jam e lumtur për sa kam arritur.”, tha ajo.

Kristine e kanë krahasuar me Britney Spears dhe Rihannën. “Në mesin e karrierës time kisha një këngë që shkoi në Top 5 dhe Billboard Magazine bëri një shkrim, dhe tha se isha mes Rihannës dhe Britney Spears për shkak të muzikës së ngjashme. Isha midis yjeve më të mëdhenj të muzikës. Për mua ishte një nder i mas që të krahasohesha me ta. E marr si një kompliment.”, tregoi ajo.

Kristine tregoi se ka mbajtur gjithashtu një turne me Justin Bieber ku ky ishte në fillimet e karrierës së tij. “Isha duke bërë një turne dhe Bieber bëri hapjen e performancës. Kam pasur një këngë që po shkonte shumë mirë dhe bëmë një tur në të gjithë Amerikën.”, tha Kristine ndërsa shtoi më tej se është tërhequr nga muzika.

“Jam duke ndihmuar njerëz nga SHBA që kanë humbur punën e tyre gjatë tërë kësaj situate. Dua të merrem me këto probleme prandaj nuk po merrem me muzikë. Jam e përfshirë në fushën e aktivizmit.“, tha ajo. /abcnews.al