Koreja e Jugut po zhvendos ambasadën e saj në Ukrainë nga Kievi në një “zonë të sigurt,” tha të mërkurën Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ndërsa trupat ruse shtojnë sulmin e tyre në kryeqytetin ukrainas. Ministria nuk bëri të ditur destinacionin e ambasadës, duke përmendur arsye sigurie.
Ambasada do të rifillojë funksionimin sapo të vendoset në vendndodhjen e re, tha ministria. Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Chung Eui-yong foli me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba me telefon të mërkurën, sipas ministrisë. Pas kërkesës së Ukrainës, Koreja e Jugut do të dorëzojë furnizime mjekësore urgjente duke përfshirë pajisje personale mbrojtëse, komplete të ndihmës së parë, doreza, maska dhe batanije raporton “CNN”.
Kjo përveç 10 milionë dollarëve të mbështetjes humanitare të premtuar tashmë, tha ministria. Ministrat ranë dakord të garantojnë sigurinë e shtetasve të të dy vendeve në Ukrainë dhe Korenë e Jugut. Koreja e Jugut ka dhënë zgjatje qëndrimi për ukrainasit që ndodhen atje. / abcnews.al