Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit në OKB.
BBC shkruan se ai u shpreh se veprimet kriminale të Rusisë në Ukrainë janë në prag të një gjenocidi.
Rusia (dhe para saj BRSS) është një nga pesë vendet që prej vitit 1945 ka qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke i dhënë asaj të drejtë të fuqishme vetoje mbi çdo rezolutë që shqyrtohet nga ky organ.
Të premten në darkë Rusia përdori të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit e cila dënonte agresionin e Moskës duke kërkuar tërheqjen e saj nga Ukraina.
Këshilli, i cili u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të shmangur konfliktet e ardhshme dhe për të promovuar paqen, ka katër anëtarë të tjerë të përhershëm: SHBA, MB, Franca dhe Kina.