Tirana “shkatërroi” Laçin në “Air Albania” me rezultatin 4-1, duke bërë autokritikë ndaj humbjes me Kastriotin një javë më parë.
Kryeqytetasit pas kësaj fitore “arratisen” përsëri me 6 pikë nga kurbinasit të cilët janë ndjekësit më të afërt të tyre në kampionatin shqiptarë.
Pas ndeshjes trajneri Orges Shehi u shfaq i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, ndërsa theksoi se humbja ndaj Kastriotit një javë më parë nuk ka ndikuar në mentalitetin e skuadrës.
“Dua të falënderoj publikun që na mbështeti. Djemtë e kanë interpretuar shumë mirë, duke ushtruar presion, duke bllokuar edhe pikat e tyre të forta. Rezultati është shumë i kënaqshëm. Nuk kemi bërë perfomancë të keqe para kësaj sfide, por sigurisht që skuadra do të ketë vështirësi. Është e rëndësishme të dish të ringrihesh. Ishte një fitore ndaj një skuadre që ka bërë shumë mirë. E rëndësishme është që u rikthyem.”
Administrimi i lojës: “Pas humbjes me Kastrioti nuk kemi fare analizë, kemi thënë që çfarë ka ikur ka ikur, fokusi ishte te takimi i sotëm. Kush shkon 4-0, bie pak motivimi, nuk do të donim të pësonim. Kundërshtari na vuri pak në vështirësi, por pastaj i morëm masat. I neutralizuam pikat e kundërshtarit, me kalimin e minutave u munduam të rifreskonim skuadrën, sepse na pret një ndeshje e rëndësishme.”
Nxënësi kundër profesorit: “Kam punuar katër vite me Josën, për mua trajnerët e mi mbeten profesorë. Kemi dalë katër herë kampion, kemi shkuar në grupet e Europa League-s. Një lojtar duhet të thithë sa më shumë nga trajnerët e suksesshëm. Është nder të mësosh nga trajnerë të tillë. /f.a/abcnews.al