Përgjatë muajit Mars mamografitë nëpër spitalet e vendit do të ofrohen falas për të gjithë gratë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pasi inspektoi punimet e kryera në Qendrën Shëndetësore të Pezës.
Qendra Shëndetësore e Pezës tashmë ofron kushte të përmirësuara për 5600 banorët e zonës. Punimet e kryera u inspektuan nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Rehabilitimi i kësaj qendre është pjesë e programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin. Por ky nuk është vetëm një program që siguron kushte më të mira të infrastrukturës, por edhe shërbime të integruara, me programet parandaluese dhe shërbimet bazë të kujdesit parësor, pa burokraci, me përdorimin e recetës elektronike dhe referimit elektronik, që kanë shkurtuar me 3 herë, kohën e pritjes për shërbimet e specializuara për qytetarët”.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal dhe tek programet parandaluese e ju drejtoi një ftesë të gjitha grave.
“Jemi në muajin Mars, në muajin e grave, ndaj gjej rastin të bëj një lutje për çdo grua, të gjejë pak kohë për t’u kujdesur për shëndetin e saj. Të kryejë kontrollin mjekësor bazë, testin falas për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe mamografinë falas”.
Përgjatë muajit Mars, mamografitë do të ofrohen falas jo vetëm në spitale, por edhe përmes mamografëve të lëvizshëm kryesisht në zonat rurale. Vetëm vitin e shkuar kryen mamografinë rreth 17 mijë gra./abcnews.al