Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Lastra” në lidhje me 1 milion euro të dyshuara të falsifikuara që iu kapën një kamerunasit në datë 17 shkurt në Rinas.
Mbrëmjen e djeshme, Seksioni për Krimin Ekonomik në Tiranë ka arrestuar bashkëpunëtoren e dy kamerunasve të prangosur më herët, 40 vjeçaren nga Zvicra Xheni Chollet. Policia ka zbuluar edhe skemën e mashtrimit që do të kryenin 3 shtetasit e huaj të arrestuar. Siç mëson gazetarja Xhensila Kodra, rol kryesor mësohet se ka pasur 45 vjeçari Zinedin Nkeh.
Lexo edhe: 1 milion euro të falsifikuara, zbardhet skema: Si do mashtronte kamerunasi një biznesmen në Shqipëri
Në sajë të hetimeve, policia ka dyshime se shuma prej 1 milion eurosh e falsifikuar do të përdorej për blerjen e një prone, duke mashtruar një biznesmen.
Sakaq, uniformat blu bëjnë me dije se në banesën e shtetases nga Zvicra në Tiranë janë gjetur lastra dhe produkte të tjera që shërbejne për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.
40 vjeçarja zvicerane e arrestuar mbrëmjen e djeshme kishte rreth 2 vite që jetonte në Shqipëri pa pasur leje qëndrimi apo leje pune. Ajo prezantohej në vendin tonë si agjente imobilare dhe se bashkëpunonte me një shoqatë të huaj. g.v/abcnews.al



