Kamza përjashtohet nga Superliga pas rrahjes së arbitrit

schedule15:13 - 6 Mars, 2019

schedule 15:13 - 6 Mars, 2019

Kamza përjashtohet nga Superliga dhe Kupa e Shqipërisë në këtë sezon, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit në ndeshjen ndaj Laçit. Komisioni i Disiplinës në Federatë e zbriti në Kategorinë e Dytë, duke nisur nga edicioni i ardhshëm.

U bë e qartë se vendimi do të kishte qenë ky. Kamza u përjashtua nga Superliga pas dhunës ndaj arbitrit Eldorian Hamiti, ndërsa sezonin e ardhshëm do ta nisë nga Kategoria e Dytë, pra nga niveli i tretë i futbollit shqiptar.

Po ashtu, nuk do të luajë as në Kupën e Shqipërisë këtë edicion. Komisioni i Disiplinës në Federatë përjashtoi edhe presidentin e klubit, Naim Qarri me 36 muaj, pra 3 vite kalendarike, po me 36 javë u përjashtua drejtori sportiv, Matraxhiu, ndërsa drejtuesi tjetër i klubit, Bana, u dënua me 18 muaj pezullim.

Të treve u ndalohet hyrja në çdo stadium të Shqipërisë, me klubin kamzali do të paguajë 100 000 lekë gjobë, por që ka të drejtë të apelojë. Vendimi i Disiplinës ishte i pritshëm pas reagimit të ashpër të institucionit, që prej ditës së diel kur edhe ndodhi ngjarja.

Federata doli në konferencë të jashtëzakonshme që të hënën, ku kërkoi dënim të skajshëm nga komisionet. Një ditë më pas, edhe presidenti Duka kërkoi ndëshkim të fajtorëve, duke folur nga Elbasani, në përurimin e një minifushe për fëmijë.

Vetë ndeshja Kamza-Laçi u la me rezultatin 1-1, pasi rrahja e arbitrit ndodhi pas përfundimit të saj, ndërsa kamzalinjtë i humbasin 0-3 në tavolinë të gjithë takimet e tjerë.

Kjo do të thotë se të favorizuar vendimit janë Luftëtari, Flamurtari dhe Skënderbeu që kishin nga dy ndeshje për të luajtur me Kamzën, ndërsa gjithë ekipet e tjerë kishin nga një.

Pra, Luftëtari, Flamurtari e Skënderbeu do të marrin 6 pikë në tavolinë, ndaj të të tjerëve u takojnë nga tri pikë, me gjirokastritët që ndihmohen ndjeshëm në garën për mbijetesë, si dhe korçarët e vlonjatët në synimet për Europën.

Kamza pati fatin e disa klubeve të tjerë të dënuar në vite, si Burreli, Bylisi apo Tërbuni, ndonëse vendimet nuk kanë qenë kaq të skajshëm edhe në raste të ngjashëm si për Laçin apo Këlcyrën./abcnews.al