E konsideruar si gruaja e parë që mund të merrte në dorë frenat e Shtëpisë së Bardhë, Hillary Clinton ka deklaruar se nuk do të garojë për postin e presidentit në zgjedhjet e 2020-s. Zonja Clinton nuk ka dhënë një arsye për vendimin e saj, por ka thënë se do të vijojë të luftojë për gjërat tek të cilat beson.
Ish-sekretarja e Shtetit dhe ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton ka përjashtuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Nuk do të garoj, por do të vazhdoj të punoj dhe të flas për atë në të cilën besoj”, ka deklaruar zonja Clinton në një intervistë televizive.
Si kandidate e demokratëve në vitin 2016, ish-shefja e diplomacisë amerikane pritej gjerësisht që të bëhej e para grua presidente, por u mposht nga Donald Trump. E pyetur nëse do të garojë për ndonjë detyrë tjetër në poste publike, ajo u përgjigj prerë: “Nuk besoj”.
Intervista për kanalin televiziv “News 12” është e para në të cilën zonja Clinton përjashton në mënyrë kategorike spekulimet se ajo mund të sfidojë Trump në 2020-n. Ajo shtoi se kishte folur me disa prej kandidatëve demokratë për zgjedhjet e ardhshme, të cilëve u kishte dhënë disa këshilla.
“I thashë secilit prej tyre që të mos marrin asgjë si fakt të kryer”, vijoi Clinton.
Hillary Clinton ishte megjithatë kandidatja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara që u nominua për të përfaqësuar demokratët në zgjedhjet e 3 viteve më parë. Rruga e saj drejt Shtëpisë së Bardhë shihej si një fakt i kryer, por ajo u përfshi nga akuzat për vartësi nga miliarderët e Ëoll Street dhe se nuk përputhej me idetë e elektoratit të ri në moshë.
Gjatë fushatës elektorale ajo u sulmua vazhdimisht nga Donald Trump, i cili i bënte thirrje turmës që ta bllokonte atë e madje në një rast edhe ta qëllonte me armë zjarri. Humbja e saj futi në një situatë paqartësie Partinë Demokratike, që tani po përgatitet për në 2020-n me të paktën 10 konkurrentë në garën për nominimin./abcnews.al