Dalin pamjet, kjo është “vrima e miut” që do nxirrte milionat nga banka në Tiranë

schedule09:57 - 23 Shkurt, 2022

schedule 09:57 - 23 Shkurt, 2022

Janë publikuar pamjet nga tuneli i nëndheshëm që një grup kriminal kishte gërmuar disa metra për të arritur në një bankë dhe për ta grabitur.

Mësohet se grupi i grabitësve kishte punuar prej disa javësh për të arritur pranë bankës së nivelit të dytë në zonën e Bulevardit “Zogu i Parë”.

Në foto shihet se pas zbulimit të kësaj skeme, vrima është bllokuar dhe është salduar me një rrjetë hekur.

Lëvizjet e një personi që kanë ngjallur dyshim të policia kanë hedhur në erë planin e grupit për të grabitur një filial banke në Bulevardin Zogu I në Tiranë.

Fillimisht policia siguroi informacion përmes rrugëve operative mbi lëvizjet e grupit dhe më pas kanë vënë në vëzhgim vendin se ku ata vepronin duke konstatuar një person të dalë nga puseta pranë Ministrisë së Drejtësisë.


Abcnews.al ka siguruar foto nga brenda tunelit ku grupi në fjalë punonte prej një muaji.

Lexo edhe: PAMJET/ Seriali i njohur frymëzon grabitësit në Tiranë, si u gërmuan tunelet, gjatë aksionit u gjet një armë zjarri

Hetuesit kanë dyshime se grupi i grabitësve kishin dijeni të plotë mbi planimetrinë se ku të nxirrte ky tunel, ndërsa kanë përfituar edhe nga zhurma që bëhej nga matrapiku për prishjen e një pallati aty pranë.

Objekt hetimi tashmë janë edhe disa punonjës të mirëmbajtjes së tuneleve nëntokësore apo elektricistë. Ata kanë pasur planimetrinë e zonës dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit duke ua vënë atë në dispozicion.

Lexo edhe: Tentohet grabitja e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, autorët do hynin nga kanalet e ujërave të zeza

Policia është duke kryer veprime që do t’i çojnë deri në identifikimin e autorëve. Ndërsa referimi në Prokurori është kryer për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.