Duket se të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash do të miratohen në parlament. I bindur u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare sipas të cilit do të arrihet nëpërmjet dialogut me opozitën e re që ka hyrë në parlament. Ndërsa opozitës që proteston jashtë i fton të ulen por jo të negociojnë për t’i dhënë pushtetin në tavolinë.
Shkeli rregullat e qarkullimit rrugor për të hyrë në parlament. Është kjo zgjedhja që bëri kryeministri Edi Rama për të shmangur përballjen me opzitën e vjetër e për ti urur mirëseardhjen të resë.
“Opozitën nuk e zgjedhim, e kanë zgjedhur të tjerët, por, mbase, kjo e gjitha është një e keqe e madhe që ata i kanë bërë vetes për një të mirë të madhe për vendin. Është koha që, mbase, shqiptarët të shohin se ata nuk janë e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje, ka të tjerë. Ka të tjerë që kanë ardhur sot, do vazhdojnë të vijnë, aq sa të vijnë, ka të tjerë që janë jashtë këtyre mureve dhe që mezi kanë pritur të shpëtojnë nga të njëjtat fytyra, me të njëjtin fjalor, me të njëjtat histori me libër shtëpie, që vetëm lidhje me politikën s’kanë”.
Me 4 deputetët e ulur në karriget e opozitës e me ata që do t’i ndjekin ka bërë llogari të reja kreu i qeverisë.
“Me opozitën e re këtu në Parlament, ne do të çojmë përpara reformën zgjedhore, sa për dijeni. Ne nuk do të shkojmë në qershor në Bruksel dhe t’ju themi, na falni se nuk e bëmë dot këtë, sepse ata ikën. Ku vajtën? Nuk e dimë. Çfarë po bëjnë? Nuk e dimë. Kur do kthehen? Nuk e dimë.
Ku ishe? Asgjëkund! Çfarë po bëre? Hiç asgjë!
Këtë nuk e bëjmë dot”.
Por një dorë e mban zgjatur edhe për të ikurit që sipas tij zgjodhën vetvrasjen politike. Dialog me kusht u premton atyre kryeministri Rama.
“Dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë për të folur është gjithmonë. Ne jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi, ku njerëzit zgjedhin dhe të zgjedhurit respektojnë mandatet që iu japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër. Këtë ne nuk jemi gati ta bëjmë”.
Duke i kujtuar se ia dha të gjitha ç’kërkoi opozita në zgjedhjet e shkuara, shefi i ekzekutivit këtë herë nuk tërhiqet. Përballjen elektorale të rradhës me ta e sheh në qershor duke i paralajmëruar të marrin masa se do të humbasin edhe gjysmat e bashkive të djathta.
“Ata e dinë shumë mirë. Për të mos thënë zero shans. Nuk duan që t’i marrim të gjitha? Urdhëro, le të vijnë në sheshin e betejës dhe të shohin ku jemi”.
E duke mbetur te kujtimet e së shkuarës, i thotë se shkaku që i solli në pushtet sot nuk është më.
“E mos e harroni kurrë, e morën sepse PS luftoi vetveten, për asnjë arsye tjetër. Ata s’kanë asnjë shans, asnjëherë, të bëhen shumicë, aq më tepër sot, kur shumica jonë është kompakte dhe është e vendosur
Kompakte edhe me opozitën e re duket kjo shumicë që ka mundësinë të votojë të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Madje edhe votimin dhe numërimin elektronik”.
“Ishte kënga e mëngjesit, drekës dhe darkës, që unë e dëgjoja poshtë penxheres në atë kohën e çadrës; votim elektronik, votim elektronik, votim elektronik. Numërim elektronik mer jahu, thoshte Dashi.
I kemi gati që t’i bëjmë sëbashku. Jua kemi thënë që ditën e parë. Jo që nuk e dëgjuan, por nuk e përmendin më”.
Këto dhe të tjera ligje të rëndësishme do të marrin dritën jeshile sipas Kryeministrit Rama me ata që I sheh si opozitë e re.
“Ne do të gjejmë rrugën të dialogojmë me opozitën që do të zërë vendet këtu në sallë dhe bazuar fiks mbi rekomandimet e ODHIR-it, bazuar mbi dakordësinë me të gjithë ekspertët dhe me të gjithë ata që janë specialistë të zgjedhjeve ndërkombëtare, ne do të shkojmë përpara. Ashtu sikundër ne do të shkojmë përpara edhe me votën e emigrantëve dhe pastaj do të shohim kush është shumicë në popullin shqiptar”.
Pas këtij fjalimi kryeministri Edi Rama është nisur për një vizitë zyrtare për në Itali. Rruga e daljes ishte e njëjtë me atë të hyrjes, përshkoi me makinë rrugën e këmbësorëve nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë. /abcnews.al