Fiorin Durmishaj do të luajë për Greqinë

schedule14:58 - 4 Mars, 2019

schedule 14:58 - 4 Mars, 2019

Fiorin Durmishaj nuk do të pranojë të luajë për Shqipërinë, por do të aktivizohet me Greqinë. Trajneri grek, Anastasiadhis, deklaron se sulmuesi 22-vjeçar e ka pranuar ftesën e tij.

Mendohej si përforcimi më i fundit i kombëtares. Fiorin Durmishaj ishte në listën e të preferuarve të Kristian Panuçit, i cili kishte në plan ta thërriste për ndeshjen ndaj Turqisë në Europian, por lajmet nga Greqia janë të tjera.

Durmishaj do të luajë për Greqinë, janë fjalët që ka thënë trajneri i kombëtares helene, Angelos Anastasiadhis.

Ky i fundit, i ftuar në emisionin televiziv “Total Futboll” u shpreh se sulmuesi shqiptar I është përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.

Anastasiadhis bën me dijë se ka ndjekur shumë ndeshje të Durmishajt gjatë këtij sezoni, dhe se e ka takuar personalisht sulmuesin 22-vjeçar me synimin për ta ftuar në kombëtare.

Mediat greke njoftojnë se tashmë kanë nisur procedurat e nevojshme që futbollisti të ketë mundësi për të luajtur për Greqinë, dhe se shpejt ai do të jetë në gjendje të veshë fanelën me ngjyrat blu e bardhë.

Me Panioniosin ka shënuar 11 gola në 27 ndeshje këtë edicion, nga të cilët 6 rrjeta për Superligën greke dhe 5 në Kupën e Greqisë.

Njëzetedyvjeçari vlerësohet lart për talentin dhe parametrat e tij fizikë, duke qenë 1.87 metra shtatlartë, tepër i fuqishëm, por edhe shumë i saktë pranë portës.

Në vendin fqinj jepet e sigurt që sezonin e ardhshëm, Durmishaj do të largohet nga Panioniosi për t’u bashkuar me skuadrën numër 1 të Greqisë, Olimpiakosin e Pireut. /abcnews.al