Prej një viti e gjysmë Shqipëria dhe Kosova janë bërë bashkë në sportin e basketbollit në ligën unike.
Avni Ponari një prej mbështetësve kryesorë të kësaj lige tha në Tiranë-Prishtinë në ABC se kjo lëvizje ishte shumë e rëndësishme. Ai theksoi se kjo ligë lindi si nevojë e domosdoshme e bashkimit të këtij sporti.
“Kjo lëvizje është shume e rëndësishme. Një nga faktorët kryesorë është raporti me drejtuesit e këtyre kompeticioneve në botë. Serioziteti për të bërë një basketboll të mirë mes dy federatave ekziston. Mbështetja e tyre ishte shumë dashamirëse në të dyja anët.
Liga unike lindi si nevojë e domosdoshme e bashkimit të këtij sporti. Lojtarët luanin në të dyja anët por kjo nuk ishte legalizuar. Kritikat na kanë ndihmuar të ecim më shumë. Sot të dyja ligat kanë një mbështetje shumë të madhe. Njerëzit në të dy anët janë shumë të interesuar kur janë ndeshjet e Ligas”, u shpreh Ponari.
Ai nënvizoi se kanë hasur në pengesa të ndryshme duke kërkuar që liga e përbashkët të mbështetet nga të dyja qeveritë.
“Kemi pasur vazhdimisht pengesa sepse kjo ligë unike kërkon mbështetjen e dy qeverive përkatëse. Një gjë është e rëndësishme. Kjo është liga më e rëndësishme në sportin kombëtar. Përveç medaljeve që ka marrë Kosova në xhudo. Kjo ligë duhet të trajtohet njëlloj në të dy anët si një federatë më vete. Duhet të mbështetet nga të dyja qeveritë që të ketë jetëgjatësi.
Sport cilësor ka atëherë kur ka mbështetje financiare. Kjo ligë ka një buxhet të veçantë dhe është shumë e rëndësishme sepse është liga e parë unike për të dy palët. Një ligë unike e përbashkët. Kemi nisur me dy grupe, femra dhe meshkuj dhe pastaj do zbresim tek të gjitha moshat”, u shpreh ai. /abcnews.al