Sociologu Ergys Mërtiri ka folur në studion e Provokacija për fenë dhe bashkëjetesën fetare, që sipas tij kjo është një çështje delikate. Ai i mëshon mendimit se gjërat duhet të diskutohen dhe duhen thënë me dashamirësi, që njerëzit të arrijnë të njohin njëri-tjetrin dhe të mos e shohin si kërcënim.
“Kultura perëndimore i sheshon problemet duke i diskutuar. Problemet nuk zgjidhen duke mos u mbajtur në heshtje, por jam i bindur se nëse konsumojmë debat afrohemi më shumë, fortifikojmë veten brenda kampit tonë dhe padituria për njëri-tjetrin na bën të urrehemi. Bashkëjetesa mes njerëzve është e mundur. Dialogu është e vetmja rrugë për të bërë shoqërinë, nuk duhet të jetosh me tjetrin duke e parë si kërcënim”.
Në këndvështrimin e tij Mëritit thotë se fetë dhe bashkëjetesa mes tyre janë të domosdoshme
“Fetë janë të domosdoshme. Unë gjykoj se edhe po të marrin teorinë negative që shumë luftra janë bërë në emër të Zotit harrojmë efektet e tjera të padukshme. Ka studime serioze që trajtojnë burimin e luftrave dhe në disa thuhen se luftrat nuk kanë qenë fetare, por politike, ekonomike. Njerëzit kur duan të luftojnë nuk e kanë problem një motiv apo një simbol në emër të të cilit të zhvillojnë luftën. Lufta ndodh për arsye egoiste të njeriut”.
Ajo që vëren Mërtiri është gjuha e urrejtjes në rrjete sociale, e cila nuk i shërben dialogut.
“Shoh një klimë për të ushqyer gjuhën e urrejtjes. Rrjetet sociale me duken si tabela ku ne i ngulim njëri tjetrit shigjetën. Kjo rritje e komunikimit nuk na ka shërbyer drejt dialogut për të na bërë më të përgjegjshëm, por na ka shërbyer për të shtyrë armët. Islamofobia është intensifikuar nëpërmjet rrjeteve sociale”.
Mërtiri thekson se edhe në media debati mbi fenë duhet trajtuar nga njerëz që kanë kulturën e nevojshme. /abcnews.al