Scholz në Uashington: SHBA – Gjermani “aleatët më të afërt”

schedule07:53 - 8 Shkurt, 2022

schedule 07:53 - 8 Shkurt, 2022

Për herë të parë që nga marrja e detyrës kancelari gjerman Scholz u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Joe Biden. Scholz tha se SHBA-ja dhe Gjermania janë “aleatët më të afërt”.

Presidenti Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz biseduan për situatën e tensionuar në kufirin e Ukrainës me Rusinë, ku janë dislokuar rreth 100,000 trupa ruse.

Pikë kyçe e mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Berlinit është ndërtimi i gazsjellësit Nord Stream 2, që do të sjellë direkt gaz natyror rus në Gjermani.

Pas takimit Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se nëse tanket dhe trupat ruse do të kalonjnë kufirin dhe pushtojnë Ukrainën projekti i gazsjellësit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë nuk do të vazhdojë.

Olaf Scholz, i cili ishte për vizitën e tij të parë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë si kancelar i Gjermanisë – tha se Gjermania ka rënë dakord me aleatët dhe partnerët, përfshi edhe SHBA-në, për “masa largvajtëse”.

“Ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm. Ju siguroj se nuk do të ketë asnjë masë për të cilën ne do të kemi një qasje të ndryshme. Ne do të veprojmë së bashku.” – tha kancelari gjerman.

Scholz nuk shprehet qartësisht për Nord Stream 2

I pyetur posaçërisht për Nord Stream 2 kancelari Scholz nuk tha në mënyrë eksplicite se projekti do të ndërpritet, por përsëriti mesazhin e tij të solidaritetit me Ukrainën dhe vendet e NATO-s.

Biden u shpreh me fjalë lavdëruese për lidhjet e ngushta midis Uashingtonit dhe Berlinit, duke shtuar se të dyja palët “po punojnë me një hap” për të penguar agresionin rus.

Përpjekje diplomatike për të qetësuar krizën në Ukrainë

Vizita e Scholz-it në Uashington kryhet në një ditë të ngarkuar me diplomaci në lidhje me krizën në Ukrainë. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock zhvilloi një vizitë në Kiev, kurse presidenti francez Emmanuel Macron u takua në Moskë me presidentin Putin.

Pas vizitës në Uashington kancelari Scholz do të zhvillojë sot (08.02) në Berlin bisedime me presidentin francez Macron dhe atë polak Andrzej Duda. Kancelari gjerman i ka ftuar dy liderët e tjerë evropianë që të “diskutojnë veçanërisht për situatën në dhe rreth Ukrainës”, tha zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffman./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!