Prokuroria reagon për Opinion: Po hetohet veprimtaria e Vangjush Dakos

schedule22:38 - 25 Shkurt, 2019

schedule 22:38 - 25 Shkurt, 2019

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako nuk është person nën hetim për dosjen “339”, por Prokuroria thotë se po hetohet veprimtaria e tij dhe e shumë personave të tjerë që kanë rënë në përgjimet e dosjes “339”.

Organi i akuzës e ka bërë sqarimin në emisionin “Opinion” në Tv Klan pas kërkesës së gazetarit Blendi Fevziu për të saktësuar nëse kreu i Bashkisë së Durrësit po hetohet për blerje të votave.

“Vazhdojnë hetimet me ritme të përshpejtuara. Fakti që nuk është person nën hetim nuk do të thotë që nuk po hetohet veprimtaria e tij. Po hetohet veprimtaria e tij dhe e shumë personave të tjerë dhe në përfundim do të konkludohet nëse ka ose jo elemente të veprës penale”, deklaroi Prokuroria Shqiptare për emisionin “Opinion”.

Sot kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se ka marrë informacione që Vangjush Dako do të arrestohet. Kreu i Bashkisë së Durrësit ka dalë në disa përgjime të Prokurorisë duke biseduar me anëtarët e bandës së Avdylajve, të arrestuar para disa muajsh për trafik droge.

Vetë Dako ka pranuar se ka biseduar me ta, por sikurse flet dhe takon çdo qytetar gjatë zgjedhjeve. Opozita e akuzon se Dako është i përfshirë në blerje votash dhe kërkon arrestimin e tij. /tvklan.al