Mehmeti: Duam të imponojmë lojën tonë! “Zënka” me Liçon? Është zmadhuar

schedule11:06 - 4 Shkurt, 2022

schedule 11:06 - 4 Shkurt, 2022

Partizani përballet me Teutën nesër në “Elbasan Arena” dhe para mediave ka dalë trajneri Dritan Mehmeti. “Demat” sot festojnë 76-vjetorin e krijimit dhe tekniku për këtë tha: “Është një ndjesi e veçantë sepse të imponon respekt kjo skuadër, përpos edhe faktit që skuadra do të futet te kompleksi për punë ditësh dhe kjo është diçka shumë e madhe për klubin.

Ne e dimë se klubi ka vuajtur shumë për sa i përket kompleksit dhe me investimin e presidentit kemi arritur që klubi të inaugurojë kompleksin për punë ditësh”. Mehmeti më pas sqaroi edhe çështjen Liço, duke thënë se nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe në stërvitje me të.

“Jam transparent për çdo gjë që ndodh në skuadër. Për sa i përket situatës së Liços, nuk ka qenë asgjë e vërtetë dhe kaq e madhe sa është bërë. Liço është lojtar mjaft profesionist. Ishte një moment që nuk kishte marrë atletet dhe kishte ngatërruar grupin. Unë e çova te grupit tjetër i vrapimit”.

Partizani përballë do të ketë Teutën dhe Mehmeti shton: “Mendoj se të gjitha skuadrat kanë mënyrën dhe filozofinë e tyre. Është një ndeshje që të dyja skuadrat duhet të tregojnë vazhdimësi me rezultate. E kemi vlerësuar në mënyrën e duhur skuadrën e Teutës dhe do të japim maksimumin. Do të kërkojmë që skuadra të ngrejë nivelin e lojës dhe të kërkojë rezultatin me ngulm”.

Po situata me të dëmtuarit, Belica e Rrapaj, si është? “Kemi pasur shqetësime të tilla, përpos situatës që kemi pasur me virozat me lojtarët. Kallaku ka pasur një problem te pulpa. Ende nuk kemi dalë në një konkluzion me stafin mjekësor për lojtarët a do të dalin në fushë kundër Teutës apo jo. Në të tilla situata vendos stafi mjekësor bashkë me stafin teknik”.

“Gjendja e afrimeve? Ne u kemi bërë testet fizike të dy lojtarëve të ardhur në momentet e fundit. Kanë një gjendje mesatare në aspektin fizik. Presim ditët në vijim për të parë gjendjen e tyre dhe do të zhvillojnë edhe stërvitje individuale. Duke pasur parasysh testet që kemi bërë dhe dy ditët e stërvitjes, mendoj se do të jetë shumë afër aktivizimi i Milan Mirosavljev”.

“Duke marrë parasysh kundërshtarin, ne jemi Partizani dhe do të mundohemi të imponojmë lojën kundër çdo kundërshtari në kampionatin shqiptar. Kjo gjë do kohën e vetë që ne të arrijmë në ekuilibër, megjithatë, ne duhet të kërkojmë fillimisht maksimumin te vetja dhe pastaj t’i përshtatemi kundërshtarit”.

“Të jesh pjesë e Partizanit vazhdimisht duhet të jesh nën presion dhe duhet të japësh më të mirën, pasi është një nga ekipet më elitare në futbollin shqiptar. Flas personalisht, sepse presioni më pëlqen dhe më detyron të jap maksimumin dhe të kërkoj më shumë nga vetja. Këtë gjë përpiqem t’ua imponoj edhe lojtarëve të Partizanit, që të japin maksimumin dhe të ndjejnë presionin dhe këtë gjë ta kthejnë në të mirë të entuziazmit të tyre”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!